Unë vij nga shkenca, nga fizika, një fushë që të mëson të kërkosh saktësi, logjikë dhe thellësi në të menduar. Krahas punës së përditshme, shkencës, libri dhe letërsia janë gjithmonë një pjesë thelbësore e jetës sime. Sot, pas katër librave të botuar dhe disa dorëshkrimeve ende në proces, e them me bindje se puna me librin nuk është thjesht profesion apo vetëm pasion, por është një Mision. Nuk jam i vetmi që kam ardhur në letërsi nga shkenca. Historia njeh plot shembuj autorësh që kanë bashkuar mendimin shkencor me imagjinatën letrare. Autori Lewis Carroll, profesor matematike në Oksford, iu dhuroi fëmijëve botën magjike me Lizën në Botën e Çudirave, një libër që vazhdon të magjepsë breza të tërë lexuesish. Shkrimtari Antoine de Saint-Exupéry, edhe pse në profesion pilot dhe inxhinier, shkroi Princin e Vogël, një nga librat më të lexuar në botë, për fëmijë dhe të rritur, i përkthyer dhe në gjuhën shqipe. Shumë shkencëtarë të tjerë e kanë kthyer dijen në rrëfim, duke treguar se shkenca dhe letërsia nuk janë botë të ndara, përkundrazi, ato ushqejnë njëra-tjetrën.
Si njeri i formuar në fizikë dhe tashmë si shkrimtar për fëmijë, jam vazhdimisht i angazhuar të lexoj, të studioj dhe të thellohem në këtë letërsi që formon mendje dhe krijon lexuesit e së nesërmes. Letërsia për fëmijë nuk është thjesht argëtim; por kontakti i parë me imagjinatën, ndjeshmërinë njerëzore dhe mendimin kritik. Përvoja më ka mësuar se kultura e librit nuk ndërtohet rastësisht. Komuniteti i librit nuk është publik pasiv, por partner kyç në çdo politikë kulturore serioze. Lexueshmëria kërkon kohë dhe përkushtim; nuk lind nga iniciativa të shpejta apo momente simbolike. Autorët e rinj kanë nevojë për vlerësim, mbështetje e inkurajim dhe jo për barriera. Bibliotekat janë laboratorë të mendimit, hapësira ku formësohen individë dhe ndërtohet një shoqëri intelektuale. Unë besoj fort se libri formon mendimin dhe ndërton shoqërinë, sepse përmes tij mësojmë të kuptojmë veten dhe tjetrin. Leximi nuk është luks, as aksesor, por domosdoshmëri. Përvoja ime si mësues, si specialist arsimi, si shkrimtar dhe si lexues më ka treguar se zhvillimi vjen vetëm përmes qasjeve të qëndrueshme, transparencës dhe respektit për komunitetin krijues. Libri është një punë e përbashkët. Ndaj qasja ime është për vlerësim, bashkëpunim, mbështetje dhe vizion. Vetëm kështu libri mund të vazhdojë të jetë mjet i rëndësishëm për ndërtimin e një shoqërie më të vetëdijshme, më të ndjeshme dhe më të aftë për të menduar në mënyrë kritike. Pasi, aty ku ka libra, ka dialog dhe aty ku ka dialog, ndërtohet një shoqëri që mendon dhe vepron me përgjegjshmëri dhe përgjegjësi.
Flori Kasaj
8.02.2026
