Lore dhe Mc Kresha – Një luks i rrallë që quhet “Ni Ni”

Lore dhe Mc Kresha – Një luks i rrallë që quhet “Ni Ni”

Nga Aldo Mustafa

Harroni gjithçka që mendoni se dini për pop-rapin shqiptar, “Ni Ni” ndryshon rregullat e lojës. Lore dhe Mc Kresha sjellin një duet që nuk kërkon vëmendje duke bërtitur, por e merr atë me qetësinë e saj hipnotike.

Lore nuk është një emër i ri në skenën muzikore, por është një zë që identifikohet menjëherë. Mjaftojnë dy fjalë të kënduara prej saj dhe timbri i butë, sensual e pothuaj përkëdhelës për veshin, e tradhëton menjëherë praninë e saj artistike. Në një industri ku shpesh forca vokale matet me volum dhe jo me ndjesi, Lore po vjen për të na treguar se ajo përfaqëson të kundërtën, një këngëtare që dëshmon se intensiteti emocional nuk ka nevojë të bërtitet. Përkundrazi, këndimi në regjistër të kontrolluar, në kufijtë e frymëmarrjes, është një “sport” shumë më i vështirë dhe Lore e zotëron atë me elegancë.

Dy javë më parë ajo erdhi me bashkëpunimin e saj me Mc Kreshën, këngën “Ni Ni”, një duet që ndoshta nuk e prisnim, por që rezulton natyrshëm i domosdoshëm sapo e dëgjon. Edhe pse i përket rrymës pop-rap, krijimi qëndron larg banalitetit që shpesh shoqëron këtë zhanër në tregun muzikor shqiptar. Atmosfera është e kontrolluar, sensuale dhe e rafinuar, një përzierje e balancuar mes ritmit urban dhe intimitetit emocional.

Teksti i shkruar nga Alban Kondi dhe Mc Kresha duket sikur është konceptuar duke pasur në mendje pikërisht zërin e Lore. Ai rrjedh butë, pa teprime poetike, por me një ndjeshmëri që i përshtatet estetikës së këngës. Në një zhanër që pranon zhargonin dhe spontanitetin, teksti arrin të mbetet i përmbajtur dhe funksional, aq poetik sa kërkon rryma, por pa u përpjekur të jetë më shumë seç duhet.

Dhe këtu hyn Mc Kresha, një figurë që vazhdon të konfirmojë reputacionin e tij si mjeshtër i fjalës në Rap-in Shqip. Tekstet e tij nuk janë asnjëherë mbushje ritmike apo formula të konsumuara, ato tregojnë histori, krijojnë imazhe dhe ndërtojnë atmosferë. Në fragmentet e tij në “Ni Ni” ai lëviz mes figurës së rebelit, ironisë urbane dhe një romantizmi të tërhequr. Referencat ndaj ndjekjes, rrezikut, izolimit apo distancës emocionale krijojnë një personazh që jeton në tension mes botës edhe kur përdor metafora të ftohta, si dëbora apo hapësirat e mbyllura, ai i zbut ato me një ndjeshmëri të nënkuptuar, një frikë e heshtur nga ftohja emocionale. Ky kontrast mes ashpërsisë dhe brishtësisë është pikërisht ajo që e bën narrativën e tij interesante dhe të gjallë.

Nga ana muzikore, kompozimi i Alban Kondit ndërton një strukturë që mbështet dialogun mes dy energjive, sensualitetit të Lore dhe gravitetit narrativ të Mc Kreshës. Produksioni i Alban Kondit, Fabian Bashës dhe Briz Musarajt është i pastër, pa mbingarkesë, duke i lënë hapësirë atmosferës dhe interpretimit vokal.

Vizualisht, kënga shoqërohet nga një videoklip minimalist dhe estetik, i realizuar nga Nilor Film & Second Sun me regji të Ajola Xoxës. Tonalitetet blu me filtra fade dhe vintage krijojnë një atmosferë të ftohtë, që përputhet me estetikën e artistëve. Lore shfaqet me xhaketë blu-jeans, flokë të zinj të shkurtër dhe një grim të lehtë që thekson shikimin e saj, një prani e qetë, por magnetike. Mc Kresha, me pallton e gjatë gri dhe syzet karakteristike, vazhdon linjën e identitetit vizual që tashmë e përfaqëson, një figurë urbane e vendosur në hapësira të hapura edhe pse pak përsëritës me Mc Kreshën e këngës “Era”, por tashmë identitet i tij.

Simbolika e videoklipit është ndoshta elementi më interesant i tij. Lore fillon duke gërmuar tokën dhe duke nxjerrë një fener bosh nga dheu, një objekt që simbolizon kërkimin për dritë. Kur e gjen të zbrazët, ajo e përplas në tokë, një moment zhgënjimi, një dritë e kërkuar që nuk ekziston ose dikush e ka marrë. Në skenën tjetër, feneri rishfaqet në duart e Mc Kreshës, por këtë herë me një zemër që ndriçon brenda tij.

Kur të dy përballen përballë të njëjtës zemër, në të njëjtën tavolinë druri në natyrë, kënga shndërrohet në dialog emocional. Në një moment, Lore mban fenerin me zemrën brenda si një trofe, ndoshta pranimi i ndjenjës, ndoshta zbulimi i asaj që kërkonte. Por paralelisht, Mc Kresha shfaqet duke u larguar me zemrën në duar, duke e mbrojtur. Kjo ndarje simbolike është thelbësore, drita mund të shihet, mund të mbahet, por ndjenja mbetet gjithmonë diçka që duhet mbrojtur individualisht. Feneri është forma, zemra është përmbajtja dhe marrëdhënia mes tyre mbetet e brishtë.

Në fund, përtej minimalizmit vizual dhe përmbajtjes së matur muzikore, “Ni Ni” arrin të krijojë një atmosferë të dallueshme dhe të qëndrueshme. Reagimi pozitiv i publikut është i kuptueshëm pasi materiali muzikor vjen si risi, Mc Kresha vazhdon të jetë një emër që rrallë zhgënjen, ndërsa Lore konfirmohet si një prani artistike që nuk kërkon vëmendje, ajo e tërheq atë natyrshëm.

Në një treg shpesh të mbushur me zhurmë, ky bashkëpunim është një dëshmi se qetësia, ndjeshmëria dhe estetika e kontrolluar mund të jenë po aq të fuqishme sa çdo show dramatik. Dhe nëse kjo është vetëm një etapë e fillimit të rrugëtimit të Lore, atëherë industria muzikore shqiptare mund të presë me të drejtë materiale edhe më të rafinuara në vazhdim.