Portreti letrar i Klea Cërrit

Portreti letrar i Klea Cërrit

Klea Cërri ka lindur më 21 mars 2001. Ajo është e angazhuar në fushën e gjuhës dhe letërsisë, ku ndërthur profesionin me pasionin për fjalën e shkruar. Punon si mësuese e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Kolegjit “Eneida”, duke u përpjekur të afrojë nxënësit me botën e librave dhe mendimit kritik.

Ka përfunduar studimet në “Gjuhë, Letërsi dhe Anglisht”, si dhe Masterin Shkencor për të njëjtin profil në Universitetin “Aleksandër Moisiu”. Krahas angazhimit në mësimdhënie, ajo shkruan poezi, ku shpreh një botë të ndjeshme dhe reflektuese.

Një cikël poezish i saj, me titull “Vetmia”, është botuar në gazetën letrare “Exlibris”. Që prej vitit 2024, ajo është aktive edhe me një bookvlog, ku ndan përvoja dhe rekomandime leximi.
Angazhimi i saj shtrihet edhe në organizimin e takimeve letrare, duke ftuar autorë të ndryshëm si Natasha Poroçani, Aldo Mustafa, Gazmend Krasniqi, duke krijuar kështu ura komunikimi mes nxënësve dhe letërsisë bashkëkohore.

Poezia mbetet një nga format më të rëndësishme të shprehjes për të, një hapësirë ku fjala dhe ndjesia takohen.

Ditë

Shkreptin shkëndija e natës,
Bubullon bubullima e mallit,
Shkëndijon shkëndija e syve,
Se ty s’të shoh dot!

Shkreptin shkëndija e trishtimit,
Rrëkëllen i palaguri lot,
Rreh e ndalët zemra,
Për ty që s’të prek dot!

Pranverës

Një pëllumb pa flet fluturak
Fluturak ne kthetra të shuara një letër
Një letër të pashkruar mban
Mban fshehur dashurin’ tonë

A mbërrin tek ti, a e merr era?
Pëshpërimave dashuria jon’ si ngahera
Qëndron aty e shuar e pashkruar
Strukur në fluturakun pa pend’

Endur Trojës…

Un’ të shihja përtej mureve përgjatë detit shëngëllues
E trishtohesha më shumë se akenjt kur shihnin Trojën
Hektorin ti më kishe përkrah e ndërsa un një Menela i shkret’
Mistershëm si fantazi olimpiane faniteshe me nektarin e perëndive
E unë ligështohesha më shumë se Akili kur shihte Trojën
Të luftoja nuk munda, kalin zjarrdehës nuk e solla midis jush
Mistershëm të zhdukja Paridin e të të rrëmbeja në valë
Kush qe Troja nga ne të dy?
Unë që stë pushtova dot e u fsheha ndër dallgë,
Apo ti që buzëqeshesh mbi një kalë të skuqur flakë?
Të shihja përgjatë detit shëngullues e ngushëlloja vetveten
Mbase një ditë Troja do të binte,
Mbase një ditë zjarrin do të ndizja…