“Killua BrrBrr” – Djalli që u fsheh në detaje

“Killua BrrBrr” – Djalli që u fsheh në detaje

Aris Demaj është emri i tij i vërtetë, ndërsa në skenë ai njihet si Killua (letskillua). Më 17 prill ai publikoi albumin e tij më të ri “BrrBrr”, i përbërë nga 17 materiale audio dhe një prelud me titull “White lotus”. Killua / Sir-A (i njohur si letskillua) është një reper, artist regjistrues, producent dhe autor këngësh shqiptar. I njohur për kombinimin e lirizmit të mprehtë me produksionin modern, ai ka krijuar një zë të veçantë në skenën shqiptare të Rap-it. Përtej rapit, ai shkruan dhe prodhon një pjesë të madhe të veprave të tij, duke dëshmuar shumëllojshmëri si artist dhe krijues.

Muzika e tij ndërthur energjinë e papërpunuar të rrugës me tema introspektive, duke u frymëzuar nga përvojat personale dhe sfondi kulturor i Shqipërisë. Me kalimin e viteve, letskillua ka ndërtuar një reputacion për autenticitet dhe një tingull që sfidon kufijtë, duke rezonuar me një brez të ri dëgjuesish.

Më 28 nëntor 2025, rreth katër muaj më parë, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, Killua publikoi videoklipin dhe singelin e këtij albumi me titullin “Jeshile”. Por “djalli fshihet në detaje” dhe kjo datë nuk është aspak rastësore, as thjesht një akt patriotizmi i shtirur si tek shumë artistë të tjerë. Killua përdor simbolikën e pavarësisë së një shteti për të paralajmëruar pavarësinë e tij artistike, e cila materializohet me “BrrBrr”, pa asnjë kompromis për cilësinë, stilin dhe origjinalitetin.

Aris Demaj – Killua është vetë tekstshkruesi dhe kompozitori i këngëve, të cilat i ka procesuar në bashkëpunim me Eugen Herrin si Mixing dhe Mastering Engineer. Albumi përfshin edhe bashkëpunime me artistët Bono, Melissa dhe Kastro Zizo, si dhe me kompozitorë dhe producentë si Morte Beatz, Nathan Garcia, Sony Ramos, Nikolas Andreasen, Ferdinand Krumpholz, Philipp Riebenstahl, Prymus Prod, KILYAN ANSRI, Brooderick Blanc, Jonisa Lako, Josh Platnick, ndërsa në proceset e miksimit dhe masterimit kontribuojnë gjithashtu Equus Mastering dhe Mario Hysneli, me tekste të tjera nga Albion Selimaj, Klevis Bega dhe Jonisa Lako.

Në një postim në Instagram, artisti shkruan për trajektoren e tij: Nga një studio e vogël modeste, drejt performancave në Shqipëri dhe jashtë saj, ku mbi 100,000 njerëz kanë kënduar njëherazi në shqip. Ai e konsideron këtë rrugëtim një përjetim të pabesueshëm dhe një krenari të madhe, të ndërtuar pa kompromise dhe së bashku me artistë e bashkëpunëtorë që i ka ftuar një nga një në këtë proces. Por ky rrëfim nuk ndalet vetëm tek suksesi. Ai përfshin edhe përplasjen me anën tjetër të industrisë, një realitet që, sipas tij, dominon qartazi anën e mirë të saj. I rritur me vlera të tjera, ai pranon se nuk ka mundur të përshtatet me këtë dimension dhe është rikthyer tek elemente që dikur i kishte lënë pas, duke bërë paqe me to dhe madje duke mësuar t’i pranojë.

Gjatë kësaj periudhe, ai përshkruan humbje personale dhe zhgënjime nga njerëz të afërt, ndërsa përballë publikut ka zgjedhur heshtjen, si një reflektim i një kulture ku problemet e brendshme nuk ekspozohen. Në këtë kontekst shfaqet edhe një element simbolik qendror: një ëndërr e përsëritur ku, në një rrugë që çon drejt shtëpisë së gjyshes në mal, në mjegull shfaqet një ujk i madh dhe i bardhë. Frika e fëmijërisë përballë këtij imazhi është përkthyer në cover-in e albumit, si një simbol i marrëdhënies së tij aktuale me këtë figurë. Përmes AI, ai ka rikrijuar ujkun pikërisht siç e ka parë në ëndërr.

Në vetë albumin, sipas artistit, jeton një anë e tij që publiku nuk e ka njohur më parë. Ai thekson praninë e punchlines, storytelling, një estetikë të re, si dhe flow dhe delivery që nuk janë dëgjuar më parë në shqip. I mbushur me simbolika nga cover-i deri te kënga e fundit që mbyll albumin, projekti synon të përfshijë dëgjuesin në një rrugëtim të plotë. Postimi mbyllet me një falënderim për të gjithë kontribuesit dhe një mesazh të qartë: puna për albumin tjetër ka nisur.

Një element strukturor i rëndësishëm është kohëzgjatja: 44 minuta e 44 sekonda (44:44). Katër katrat nuk duken rastësi. Ato konsiderohen si “ora pasqyrë”, ku përsëritja e shifrave interpretohet si një mesazh për të qëndruar i fokusuar dhe për të vazhduar rrugën e nisur. Në këtë lexim, Killua shfaqet si një artist i pandalshëm në ndërtimin e një identiteti që synon të lërë gjurmë dhe të vendosë rregulla të reja për brezin e ri. Numri 4 lidhet gjithashtu me stabilitetin, disiplinën dhe ndërtimin e bazave të forta. Në referencë me kulturën muzikore ndërkombëtare, 44:44 mund të shihet si një afërsi konceptuale me “4:44” të Jay-Z, një ndikim i mundshëm në mënyrën si Killua ndërton ndikimin e tij nga kultura perëndimore.

Që në hyrje të albumit, përmes preludit, përdoret një seri audiosh të shkëputura nga intervista dhe opinione të ndryshme mbi artistin, pozitive dhe negative. Rimarrja dhe përdorimi i këtyre fragmenteve kundër vetë burimit krijon një tension të drejtpërdrejtë mes artistit dhe kritikëve të tij, një përgjigje e strukturuar si njëkohësisht “diss” dhe “shout-out” për urryesit dhe mbështetësit.

Titulli “White Lotus” mbart një simbolikë të qartë, atë të rritjes së një bime të bardhë në një ambient moçalor, me ujë të ndenjur, duke sugjeruar se në një mjedis të ndjenjur, “BrrBrr” shfaqet si një element i pastër dhe i dallueshëm. Brenda këtij preludi dëgjohen fraza si “…mendoj që duhet ta marrësh në podcast, është repist fantastik, poet i brezit të vet, larg vulgut”, “nuk ishe shumë i famshëm, por ishe i talentuar”, “Tirana nuk i honeps dot ato fytyrat që zbresin nga autobusi dhe nuk kanë lidhje me Tiranën”, “ti je njeri që përfshihesh edhe nëpër sherre, shpresojmë që kjo pika jote e dobët të mos jetë ekspozuar”, “jepja dorën, bëne diçka”, “a ka mundësi të kemi sukses pa ndonjë kompromis gjatë rrugës?”. Këto fragmente, të lidhura me figura publike si Mira Kazhani, Erion Veliaj etj., ndërtojnë një sfond kritik që shoqërohet nga një instrumentale që të kujton tensionin e një loje për jetë a vdekje, atë të “Squid Game”, duke e vendosur albumin si një tjetër betejë për artin dhe muzikën cilësore.

Në planin tekstual, Killua është quajtur “poet i kohës së tij” jo për efekt retorik, por për mënyrën si trajton temat. Këngët e tij ngrejnë problematika sociale të të rinjve, të vetë artistit, të padrejtësive dhe fenomeneve të tjera, pa rënë në përsëritje apo vulgaritet. Edhe kur përdoret zhargoni, ai mbetet funksional dhe jo dominues. Tekstet krijojnë një urë mes dëgjuesit të thjeshtë dhe atij intelektual, duke ruajtur njëkohësisht dhe popullaritetin që kjo rrymë kërkon. Këto shtresëzime e vendosin Killua-n përtej një kategorizimi të thjeshtë, ai nuk është “repist”, po është “Repisti”, si një figurë që përmbledh dhe artikulon një mënyrë të tërë të të bërit muzikë. Ironia e tij e hollë në vargje nuk është ajo epikja, por klasike për zhanrin, duke e bërë stilin e tij të identifikueshëm vetëm me emrin e tij.

Bashkëpunimet me artistë kontroversialë dhe shikueshmëria reale e projekteve të tij tregojnë një tjetër dimension, një refuzim të praktikave të zakonshme të industrisë për blerjen e klikimeve dhe shikueshmërisë. Në vend të kësaj, “BrrBrr” artikulon një mënyrë tjetër prodhimi dhe shpërndarjeje të muzikës, ku pesha bie mbi përmbajtjen dhe jo mbi zhurmën rrethuese, duke mos shfaqur aspak frikë mbi të vërtetën që të gjithë artistët e tjerë po përpiqen të fshehin, famën e rreme.

Në fund, “BrrBrr”, është një album që nuk kërkon të jetë i lehtë për t’u përtypur, por i qëndrueshëm për t’u rikthyer dhe në këtë qëndrueshmëri, ai e gjen formën e vet më të saktë, jo jehonë momenti, por një gjurmë që do të mbahet mend.