Shkrimtari i letërsisë për fëmijë Aldo Mustafa, ka zhvilluar një tjetër takim me lexuesit e rinj, këtë herë në ambientet e Kolegjit Eneida, ku u prit nga nxënës të klasave të ndryshme, nën kujdesin e mësueses së gjuhës dhe letërsisë, Klea Cërri.
Takimi u zhvillua në kuadër të kolanës së tij për fëmijë “Shtegu i Dritave Magjike”, ku libri i parë i serisë “Kodra e Kujtimeve” vijon të udhëtojë mes lexuesve të vegjël, duke sjellë një botë fantazie, kujtimesh dhe aventurash që synojnë të nxisin dashurinë për leximin.
Atmosfera e takimit u karakterizua nga kurioziteti i madh i nxënësve, të cilët drejtuan pyetje të shumta mbi personazhet, ngjarjet dhe mesazhet e librit. Sipas autorit, ndërveprimi me fëmijët është një nga pjesët më frymëzuese të këtij rrugëtimi letrar.
“Është gjithmonë argëtuese biseda dhe pyetjet që vijnë nga fëmijët, të cilët janë kuriozë dhe arrijnë të identifikojnë çdo detaj në libër dhe përtej tij. Janë lexues të denjë, që do të jenë e ardhmja e vendit”, u shpreh Mustafa.



Autori theksoi gjithashtu se çdo takim me nxënësit i jep motivim të ri për të vazhduar krijimtarinë e tij. Sipas tij, mënyra se si fëmijët e përqafojnë librin dhe botën e letërsisë është një burim i vazhdueshëm frymëzimi për të shkruar më shumë.
“Pas çdo takimi dal i frymëzuar për të shkruar më shumë për ta, kur shoh sesi e përqafojnë librin dhe letërsinë time”, shtoi ai.
Takimi u shoqërua me diskutime të hapura, bashkëbisedim dhe momente ndërveprimi mes autorit dhe nxënësve, duke e kthyer aktivitetin në një eksperiencë të gjallë letrare.
Në përfundim të takimit, Aldo Mustafa u shpreh se rrugëtimi i “Shtegut të Dritave Magjike” do të vazhdojë, duke ndjekur imagjinatën dhe fantazinë e lexuesve të vegjël, të cilët për autorin mbeten burimi kryesor i krijimtarisë së tij.
“Ne do të vazhdojmë të ndjekim dritat e fantazisë”, ishte mesazhi përmbyllës i shkrimtarit.



