Pas 14 ditësh protestë, Luiz Ejlli “zgjohet” me këngë kundër pushtetit që dje i shtrëngonte dorën

Pas 14 ditësh protestë, Luiz Ejlli “zgjohet” me këngë kundër pushtetit që dje i shtrëngonte dorën

Luiz Ejlli është zgjuar politikisht në ditën e 14-të të protestës dhe ka vendosur ta përdorë atë “artistikisht”. Këngëtari njoftoi se nuk do t’u bashkohet qytetarëve me pankartë në dorë, por me një këngë të frymëzuar nga rezistenca kundër qeverisë.

Pasi u akuzua për heshtje gjatë ditëve të para të protestës, Ejlli thotë se zgjodhi muzikën si formë reagimi.

“Secili proteston në mënyrën e vet, ju zgjodhët rrugën, unë zgjodha muzikën. Mendova se zëri im do të dëgjohej më mirë përmes një kënge sesa mes turmës”, shkruan ai, duke ironizuar edhe kritikët që, sipas tij, dyshuan në qëndrimin e tij.

Reagimi i Luizit ka ngjallur diskutime edhe për shkak të afërsisë së tij të mëparshme me qeverinë. Pas fitores në Big Brother, ai u pa në aktivitete elektorale krah figurave të rëndësishme të mazhorancës, mes tyre ish-kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i cili vuan denimin në burgun e Durrësit i akuzuar për korrupsion dhe kryebashkiakut të Shkodrës Benet Beci i cili po hetohet nga SPAK për shkelje tenderi me vlerë 700 mije euro.