Më 26 qershor 2026, Piramida e Tiranës u shndërrua në qendrën e sipërmarrjes shqiptare, duke mirëpritur qindra vizitorë, sipërmarrës, profesionistë dhe të rinj në kuadër të BLOconomy Entrepreneur Fair 2026. Gjatë një dite të mbushur me diskutime, ekspozim biznesesh, networking dhe aktivitete, eventi krijoi një hapësirë ku idetë dhe përvojat u ndanë me komunitetin.
Pas hapjes zyrtare nga ekipi i BLOconomy, programi nisi me panelin kushtuar Teknologjisë dhe Inovacionit, ku ekspertë nga fusha të ndryshme diskutuan ndikimin e transformimit digjital dhe inteligjencës artificiale në zhvillimin e biznesit. Paneli solli këndvështrime praktike mbi sfidat dhe mundësitë që teknologjia krijon për sipërmarrjet moderne.
Pas sesioneve të para, pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitonin stendat ekspozuese, të zhvillonin takime B2B dhe të krijonin lidhje të reja profesionale, duke e kthyer panairin në një platformë aktive bashkëpunimi.
Në vijim, paneli Empowerment – Gratë në Biznes vendosi në qendër historitë frymëzuese të sipërmarrëseve shqiptare, të cilat ndanë përvojat, sfidat dhe rrugëtimin e tyre drejt suksesit. Diskutimi theksoi rëndësinë e lidershipit femëror dhe fuqizimit të grave në ekosistemin e biznesit.
Një tjetër moment i rëndësishëm ishte paneli Politikë & Biznes, ku u diskutua mbi klimën e të bërit biznes në Shqipëri, sfidat aktuale, mundësitë për zhvillim dhe rëndësinë e dialogut mes sipërmarrjes, institucioneve dhe medias. Debati solli perspektiva të ndryshme mbi mënyrën se si bashkëpunimi ndërmjet aktorëve kryesorë mund të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik.
Gjatë gjithë pasdites, vizitorët vijuan të eksploronin bizneset pjesëmarrëse, të krijonin kontakte të reja dhe të merrnin pjesë në aktivitete të shumta networking, duke e bërë Entrepreneur Fair më shumë se një panair – një pikëtakim të komunitetit sipërmarrës.
Eventi u përmbyll me Ceremoninë Kryesore, një nga momentet më të rëndësishme të mbrëmjes, ku u realizua lansimi zyrtar i revistës BLOconomy, si edhe u shpallën renditjet 40 Under 40 – Top 10 dhe 50 Over 50 – Top 10, duke vlerësuar individë që kanë dhënë kontribut të veçantë në zhvillimin e sipërmarrjes dhe ekonomisë shqiptare.
BLOconomy Entrepreneur Fair 2026 dëshmoi edhe një herë se kur bashkohen vizioni, inovacioni dhe bashkëpunimi, krijohen mundësi të reja për zhvillimin e biznesit dhe ndërtimin e një komuniteti sipërmarrës më të fortë.
