Nga Flori Kasaj, shkrimtar dhe ekspert arsimi.
Pushimet verore janë koha ideale që nxënësit të lexojnë pa presionin e detyrave apo mësimeve të shkollës. Leximi gjatë kësaj periudhe nuk e shkëput nxënësin nga kontakti me librin, i zhvillon imagjinatën, forcon të menduarin kritik, si dhe pasuron kulturën dhe fjalorin e tyre.
Edhe këtë vit, mësuesit kanë shpërndarë te nxënësit listat e librave rekomandues për lexim gjatë pushimeve verore. Në to renditen tituj të letërsisë klasike botërore dhe shqiptare, vepra me vlera të larta artistike dhe edukative. Megjithatë, publikimi i këtyre listave më ktheu pas në kohë, vite më parë kur isha vetë në bankat e shkollës. Pothuajse është e njëjta listë që qarkullon prej vitesh. Kjo ngre një problem të rëndësishëm: A u përgjigjen këto rekomandime nevojave, interesave dhe realitetit të nxënësve të sotëm?
Nuk vihet në diskutim vlera e letërsisë klasike. Përkundrazi, ajo duhet të mbetet pjesë e formimit kulturor të çdo nxënësi. Por, nëse synimi ynë është të krijojmë lexues të rregullt dhe të apasionuar, atëherë duhet të pyesim veten nëse këta tituj janë të mjaftueshëm për të zgjuar interesin e një brezi që jeton në një realitet krejt tjetër.
Ka ardhur koha që listat rekomanduese të rishikohen dhe të pasurohen me letërsi bashkëkohore cilësore, me autorë dhe histori që flasin gjuhën e fëmijëve të sotëm. Libra që trajtojnë sfidat e tyre dhe që i bëjnë ata të lexojnë me dëshirë, jo vetëm sepse është në listë rekomanduese “detyruese”.
Por, a hartohen këto lista mbi bazën e studimeve, pyetësorëve apo konsultimeve me mësues, nxënës dhe prindër, apo thjesht vazhdojmë t’i përmbahemi një tradite shumëvjeçare? A merret parasysh lista rekomanduese e pasurimit të bibliotekave që Ministria e Arsimit, përditëson vit pas viti me ekspert të kësaj fushe?
Nuk duhet të zgjedhim mes klasikëve dhe bashkëkohorëve. Nxënësit, padiskutim që kanë nevojë për të dyja. Klasikët ndërtojnë themelet e kulturës letrare, ndërsa letërsia bashkëkohore e afron më tepër nxënësin me librin, duke e bërë atë që ta ndjejë dhe ta jetojë.
Në fund të fundit, suksesi i një liste rekomanduese nuk matet vetëm me vlerën e titujve që përmban, por edhe me numrin e nxënësve që i mbyllin pushimet e verës duke thënë: “Ky libër më bëri të vazhdoj të lexoj akoma”.
Në vend që listat rekomanduese të mbeten pothuajse të pandryshuara vit pas viti, është e dobishme që ato të rishikoheshin periodikisht nga specialistë të letërsisë për fëmijë, mësues, bibliotekarë, botues dhe pse jo, edhe nga vetë nxënësit përmes pyetësorëve. Gjithashtu, një ndihmë është përzgjedhja e titujve nga lista rekomanduese e pasurimit të bibliotekave që Ministria e Arsimit rifreskon çdo vit. Në këtë mënyrë, rekomandimet nuk do të mbështeteshin vetëm te tradita dhe vlerat e padiskutueshme të letërsisë klasike, por edhe te interesat reale të lexuesve të rinj.
Një listë rekomanduese e mirë nuk duhet të synojë vetëm që t’i njohë nxënësit me autorët klasikë, por edhe t’i bëjë ata ta duan leximin. Nëse një nxënës e përfundon një libër me dëshirën për të lexuar menjëherë një tjetër, atëherë rekomandimi e ka arritur qëllimin.
Listat duhet të përfshinin edhe letërsi bashkëkohore, cilësore, me tituj që trajtojnë temat ku fëmijët e sotëm gjejnë veten dhe realitetin, si: miqësia, familja, sfidat e rritjes, teknologjia, shkenca, bota digjitale, mbrojtja e mjedisit, empatia, pranimi i ndryshimeve dhe zhvillimi personal. Shumë e rëndësishme është që në këto lista të gjejnë vend autorët bashkëkohorë shqiptarë. Fëmijët kanë nevojë të lexojnë histori ku njohin gjuhën, kulturën, mjedisin dhe përvojat e tyre, duke krijuar kështu një lidhje më të fortë me librin dhe me letërsinë shqipe.
Ka ardhur koha që listat e librave të pushimeve të verës të mos jenë thjesht një traditë që përsëritet çdo vit, por një instrument që përshtatet me atë çfarë duan dhe kanë nevojë brezat e sotëm. Qëllimi nuk është vetëm të ruajmë një kanon letrar, por të formojmë lexues të pasionuar. Kjo arrihet duke gjetur ekuilibrin mes klasikëve që ndërtojnë kulturën letrare dhe letërsisë bashkëkohore cilësore që ndikon në formimin e tyre edukativ, kulturor dhe shpirtëror, si qytetar të së ardhmes.
