Nga Enver Hoxha tek viti 1997: A po përsërit historia me “Revolucionin e Flamingove”?

Nga Enver Hoxha tek viti 1997: A po përsërit historia me “Revolucionin e Flamingove”?

Nga Aldo Mustafa

Në vitin 1997, pas kolapsit të skemave piramidale dhe rrëzimit të autoritetit shtetëror, armët u shpërndanë masivisht. Këtu hasim dy rrugë të asaj çfarë mund të marrë përsipër studimi i sjellkeve njerëzore, në dy prizma, atë psikologjik dhe atë sociologjik. 

Kur shteti pushon së funksionuari si garant i rendit, njerëzit fillojnë të “marrin sinjale” nga njëri-tjetri dhe jo nga institucionet. Nëse të gjithë armatosen, edhe individi më racional i shoqërisë, ndjen presion të armatoset. Nëse të gjithë qëllojnë, përdorimi i armës fillon të perceptohet si normë. 

Kjo është ajo që sociologët e quajnë normalizim i sjelljes përmes imitimit, ku kufijtë moralë zhvendosen, sepse referenca nuk është më ligji, por grupi. Kjo ngjarje nuk ishte një epidemi çmendurie, por një përzierje e panikut, vakumit institucional, imitimit social dhe oportunizmit kriminal.

Viti 1985, vdekja e Enver Hoxhës një shembull kompleks i asaj që mund të perceptohet si “histeri kolektive” me pamjet e mijëra njerëzve që qajnë dhe futen në një gjendje agonie me pyetje ekzistencialiste. 

Kjo situatë mund të shpjegohet nga një kombinim faktorësh si indoktrinimi i ndërtuar për dekada, frika nga sistemi, identifikimi emocional me figurën e udhëheqësit, presioni social për të mos devijuar nga norma dhe për shumë njerëz, një dhimbje reale, sepse kishin njohur vetëm atë realitet politik. 

Gjithsesi në regjimet totalitare kufiri mes bindjes, frikës dhe performancës publike bëhet pothuajse i pamundur për t’u ndarë.

Këto dy episode kanë një element të përbashkët, individi nuk vepron më vetëm si individ. Ai fillon të marrë vendime duke adaptuar vazhdimisht sjelljen e masës.

Gjithnjë populli shqiptar ka vuajtur nga amneza, humbja e kujtesës, veçanërisht për ngjarje të tilla. Marrë shkas nga këto dy episode, natyrshëm duhet të na lindi pyetja:

“A mund të konsiderohen protestuesit e të ashtuquajturit “Revolucioni i Flamingove” pjesë e një procesi të ngjashëm?”

Psikologjia sociale tregon se çdo protestë e madhe prodhon mekanizma si identiteti kolektiv, ngjitja emocionale, solidariteti, presioni për konformitet dhe përforcimi i bindjeve përmes grupit. 

Kjo nuk përjashton që, pas një muaji protestash, disa individë të përjetojnë efektin e “dhomës së jehonës”. Sa më shumë kohë kalon një grup së bashku, aq më shumë rritet rreziku që bindjet të forcohen përmes konfirmimit të vazhdueshëm dhe të dobësohet ekspozimi ndaj argumenteve kundërshtuese. Ky është një fenomen i njohur në psikologjinë sociale dhe sot përforcohet edhe nga rrjetet sociale.

Në shkencë, shumë studiues e shmangin vetë termin “histeri kolektive”, duke preferuar koncepte më të sakta si sjellje kolektive. Arsyeja është e thjeshtë, jo çdo reagim emocional i një mase është patologjik. 

Megjithatë, psikologjia sociale njeh një fenomen interesant. Kur individi futet në një grup shumë të madh, mekanizmat e vendimmarrjes ndryshojnë. Emocionet bëhen ngjitëse. Frika përhapet më shpejt se argumenti. Entuziazmi fiton ndaj analizës. Përgjegjësia individuale tretet brenda identitetit kolektiv. 

Kjo nuk do të thotë se njerëzit “humbasin mendjen”, por se truri fillon të marrë shumë sinjale nga sjellja e të tjerëve dhe më pak nga gjykimi personal. 

Nëse “Revolucioni i Flamingove” do të arrijë të mbetet një shprehje e vetëdijshme qytetare apo do të rrëshqasë drejt një logjike ku turma ushqen vetëm vetveten, këtë do ta tregojë koha. Por historia shqiptare ka lënë një mësim të hidhur. 

Kur emocionet kolektive arrijnë pikën e vlimit, fundi rrallëherë është ai që imagjinojnë ata që ndodhen në rreshtin e parë. Dhe ndonjëherë, kur turma zgjohet nga entuziazmi i saj, zbulon se çmimin më të lartë e ka paguar ajo vetë.

Shënim: Ky opinion është ndërtuar mbi literaturën e psikologjisë sociale dhe sociologjisë së sjelljes kolektive, duke iu referuar punimeve të studiuesve si Gustave Le Bon, Stephen Reicher, John Drury dhe Clifford Stott, si edhe publikimeve shkencore të indeksuara në PubMed, Wiley Online Library dhe arXiv. Interpretimet dhe analogjitë e bëra në lidhje me ngjarjet shqiptare përfaqësojnë një analizë autoriale të mbështetur në këto koncepte dhe nuk përbëjnë një diagnozë shkencore për individë apo grupe të caktuara.