Projekti për mbetjet e riciklueshme ka dështuar në Durrës, edhe pse bashkia ka blerë së fundmi 700 kazanë të rinj. Qytetarët nuk kanë ende informacion për ndarjen e mbeturinave që në banesë, e nga ana tjetër nuk është ndërtuar pika e grumbullimit për mbetjet e riciklueshme.
Me një vlere prej 29 milionë lekësh Bashkia e Durrësit ka blerë 700 kazanë trengjyrësh për diferencimin e mbetjeve. Fituesi i tenderit është shpallur kompania “Power Industries” dhe brenda pak ditësh pritet të vendosen kazanët e rinj në zonën e qendrës. Ky është vazhdim i një projekti të nisur në vitin 2022 ku janë vendosur 300 kazanët e parë, por qytetarët ende vazhdojnë ti nxjerrin mbeturinat nga shtëpia, të pa ndara.
Siç shihet në pamjet e xhiruara nga Report TV edhe pse janë kazanët me etiketa për mbetjet e letrës, plastikës dhe ato organike, qytetarët vazhdojnë ti hedhin shkujdesur në të njëjtin vend. Të pyetur për këtë, qytetarët thanë se nuk kanë informacion për diferencimin e mbetjeve, ndërsa të tjerë shprehen se është kosto e shtuar për familjet e tyre.
Diferencimi i mbetjeve deri më tani ka dështuar jo vetëm pasi nuk është përqafuar nga qytetarët, por edhe Ndërmarrja e Shërbimit Komunal nuk e zbaton, pasi pavarësisht kategorive të mbeturinave dhe koshave përkatës, mbledhja e tyre kryhet po me të njëjtin kamion duke mos i diferencuar ato në grumbullim.