“Të parat” është libri me karakter publicistik i parë i Neda Ballukut, i cili vjen me një gjuhë mjaft të thjeshtë dhe tërheqëse për të gjithë grupmoshat dhe individët.
Nëse do flasim për eksperiencën që ndan ky libër me lexuesin, do e nisja nga fundi! Kapitulli i titulluar “Mami yt”, e cila për autoren është ndër “Të parat” dhe e para nga gratë të cilat kanë bërë gjithçka heroike, kështu i drejtohet Neda Balluku çdo lexuesi. Janë faqe shumë të ndjera të cilat e arrijnë qëllimin dhe përçojnë mesazhin, pavarësisht mundësisë apo pamundësisë, është e sigurt që do të prekeni dhe ndoshta mund të lotoni!
Përsa i përket librit në tërësi është lehtësisht i lexueshëm dhe do të ishte një sugjerim i mirë jo vetëm për fëmijët dhe adoleshentët, por gjithashtu për të gjitha nënat të cilat mendojnë se nuk janë të fuqishme mjaftueshëm për të vazhduar përpara; i sugjerohet nënave për vajzat dhe sidomos për djemtë që po rrisin; u sugjerohet burrave të cilët do të mund të rivlerësojnë rolin e nënave që i sollën në jetë, të vlerësojnë bijat që ata do rrisin dhe bashkëshorten që kanë në krah!
Libri është punuar me shumë dashuri dhe kujdes, një gjuhë mjaft e thjeshtë dhe depërtuese për të gjithë, rrjedh sikur të jeni duke pirë një gotë çaji dhe nuk është i lodhshëm. Është një domosdoshmëri për këdo.
Rallëherë gjejmë vepra të kushtuara forcës, vullnetit dhe këmbenguljes së femijëve dhe adoleshentëve, detaje që autorja i sjell me sukses në këtë narrativë mbi gjashtëmbëdhjetë gra që thyen çdo barrierë dhe u bënë vetvetja.
Këto gra kanë shkruar historinë e tyre dhe janë bërë kështu pjesë e historisë sonë. Mos humbisni këtë lexim mbi një rrugëtim drejt versionit më të mirë të vetes. Neda me këtë libër të bën të duash të lexosh dhe mësosh më shumë!