Gjithçka për dramën “Gjithçka rreth IV”

Gjithçka për dramën “Gjithçka rreth IV”

Një shfaqje në skajet e intrigës dhe natyrës së pangopur njerëzore, e ndërthurur me skena të forta thirrjesh për rikthim në realitet dhe largimin nga natyra e “ndaluar” e njeriut, është ajo çfarë revokon drama “Gjithçka rreth Iv” me regji të Hervin Çulit dhe një trupë aktorësh tragjik deri në nivelet Shekspiriane të përçimit të emocionit.

Eleganca dhe finesa, si e një zonjushe franceze, sjell aktoren Ermira Hysaj Çerkozi, në një rol që e vesh mjaft bukur, Iv. Butësia në dukje, fsheh një sër intrigash të mbuluara nga fytyra dhe sjellja ëngjëllore dhe perfeksioniste e saj. Ndërkohë që interpretimi i shkëlqyer e bën të besueshëm dhe të vështirë identifikimin e qëllimit të vërtetë të personazhit.

Keroll i interpretuar nga Rovena Lule Kuka, është një personazh i qelibartë, me hijeshi të një zonjë “Lady Diana” dhe pjekurinë emocionale teatrale që të ofron një zonjë e vërtetë aristokrate. Pavarësisht se virtyti i vetëm i Keroll është funksional, ai i të qenurit bashkëshorte, akti i saj i parë sjell zhvillimin e dramës. Pa Keroll nuk do të kishte një “Iv”.

Adrian Morina pothuajse na bën të besojmë për pak, se jo të gjithë burrat janë njëlloj. Ka dhe burra fisnik, të cilët mund t’i rezistojnë tundimeve të joshjes prej një zonjushe provokuese deri në limit. Një personazh me ftohtësi edukative skandinave dhe butësi dashurore e cila nuk gjendet në shumë vepra, sjell Billin si asnjë rol të parë më herët në teatër.

Kushtrim Sheremeti në rolin e dramaturgut Lloid, është e kundërta e Bill, por një personazh epik. Me një artikulim klasik prej intelektuali dhe si bashkëshort i Keroll, me një fisnikëri prej Duke, Lloid përqaset më distant nga emocionet, por shkakton më së miri iluzione besnikërie.

Albulena Kryeziu Bokshi me theks prej Madame, nuk fsheh gjaknxehtësitë e një gruaje xheloze dhe të dashuruar e cila gjendet përballë uljesh dhe ngritjesh të një metamorfoze dhe krize të mes-moshës, balancimit me karrierën dhe pranimit të dashurisë bashkëshortore si të mirëqenë.

Natasha Sela në rolin e Bërdit, si gjithnjë qëndron komike dhe lë gjurmë pavarësisht tekstit sasior ose jo që mbart në çdo pjesë. Arrin të identifikohet me mënyrën e saj karizmatike të ndërvepruarit me personazhet dhe trupat e aktorëve. Nëse do të shihnit një shfaqje në errësirë totale, indinjimi në zërin e Natasha Selës, do të ishte dokumenti i saj identifikues.

Dhe i fundit, por jo më pak i rëndësishmi, Adison, roli i luajtur nga regjisori i shfaqjes, Hervin Çuli, është një narrator dhe “vrasës” i “vrasësve”. Roli i tij nis me narrativën e një zëri unik, të thellë dhe kumbues që mbush sallat e çdo teatri në çdo shfaqje. Një personazh sociopat i cili pas qetësisë së tij olimpike, fsheh një investigues të mirë, por agresiv. Mjeshtëria e interpretimit të aspekteve psikike, e bën Hervin Çulin të koordinojë një rol të trefishtë, duke krijuar trininë “regjisor-aktor-psikolog”, kombinim i vështirë dhe që nuk arrihet shpesh të aftësohet, as nga aktorët të cilët kanë vite të tëra karrierë mbi kurriz. Një Odise!

Drama “Gjithçka rreth Iv” e cila bashkoi aktorët kosovarë dhe shqiptarë, është bazuar në filmin amerikan, me po të njëjtin titull, e realizuar 70 vite më parë dhe u përqafua nga publiku durrsak, i cili tashmë dihet që është mjaft përzgjedhës në shfaqjet e vendosura në skenë dhe preferon më shumë komedinë.