Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova. Më 1970 u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tirane dhe filloi punë në teatrin “Aleksander Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artsitike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombetar. Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshterise se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.
Pasioni për aktrimin u shfaq që në fëmijëri tek artisti. “Mbaj mend që në fëmijëri i kam pasur shumë qejf jo vetëm shfaqjet teatrore, por edhe filmat. Tani, i kujtoj pak me buzëqeshje kur mendoj që një film psh. Hamletin e kam parë mbi 15 herë me lloj-lloj pozicionesh, në kinemanë verore apo atë dimërore. Gjithmonë kam pasur dëshirë të shihja filma, të admiroja dhe të diskutoja për artistët pjesëmarrës. Pastaj afrimi me aktrimin qe një okazion.”- shprehet aktori në një intervistë të dhënë për mediat.
Teatri
Interpretimi dhe ngjyrimi emcional i roleve, e veçojnë Mirush Kabashin. Personazhet e mishëruara nga Kabashi bien në sy për origjinalitet, për elegancën, duke frymuar karaktere me ndryshime të ndjeshme nga njeri te tjetri, të përzgjedhur me mencuri dhe intuitë. Spikat në rolet satirike dhe komike. U dallua fillimisht me krijimin e figurës qesharake të Telit në komedinë Kartela e verdhe e Haxhi Rames (1976), ku luajti me lirshmëri dhe tifozin e pasionuar qe ndjek skuadren dhe lojtarin e tij të zemrës ndeshje pas ndeshje e hall pas halli duke përdorur një shumësi detajesh shprehësi, si në plastikë ashtu edhe në mënyrën e të folurit.
Ky rol u pasua më tutje me karaktere të tilla komike, si: Diafarusi në komedine “I sëmuri imagjinar e Molierit” (1982), me të cilin luajti mjaft bukur me elegancën plastike të tij, me përpunimin e gjestit, ç’ka i dhanë Kabashit hirin, sharmin, ngjyrimin dhe stilin klasicist. “Në teatër mësova se ç’ishte aktora, pata peripeci si gjithë të tjerët, pastaj kam marrë pjesë nëpër filma, shfaqje. Të vetmen gjë që mund t’jua them me bindje: nuk i jam trembur e shmangur kurrë punës në çfarëdolloj kushtesh. Kur është fjala për të provuar, për të pasur mundësinë e kontaktit me spektatorin, unë nuk kam refuzuar, por përkundrazi kam provuar me guxim. Njëra prej këtyre fushave është edhe ajo e recitimit që tregova sot para jush.”- shpreh aktori Kabashi. E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”. Roli i Sokratit është ndoshta kulmi i tij artistik, ku fuqia interpretuese mbërrin në caqe vërtet të lavdërueshme dhe realisht konkurruese në rrafsh ndërkombëtar. M. Kabashi pëson një transformim të plotë psikofizik, plastika e tij paraqitet tejet e përpunuar, e folura gjithashtu, edhe me temperamentin dhe energjinë që ka ndërkallur në fjalën pasionale e ironike të Sokratit realizon një akuzë të fortë ndaj tiranisë, padrejtesisë, korrupsionit, në suazën e një sarkazme të pamëshirshme, duke i dhënë krejt lojës një qasje të dukshme bashkëkohore.
Në festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia Hija e tjetrit e Ruzhdi Pulahës. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mire bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit
Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.
Mirush Kabashi, i cili në fund të vitit 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi I Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar”dhe “Mjeshtër i Madh I Punës”.
Rolet në filma:
- Kronikë provinciale (2009)
- Ne dhe Lenini (2008)
- Nata (1998)
- Edhe ashtu edhe kështu (1989)…. Babai i Almës
- Binarët (film) (1987)
- Telefoni i një mëngjesi (1987)….Kujtimi
- Zëvendësi i grave (1987)……… Lisimak Voci
- Nxënsit e klasës sime (1984)..Mësues Nardi
- Kohë e largët (1983) ………Asketi Lithan
- Dora e ngrohtë (1983) ………Brahushi
- Shoqja nga fshati (1980) ………Nasi (dajua i Tirkes)
- Një ndodhi në port (1980) ……….Calamani
- Gezhoja e Vjeter (1980) ………Bake
- Radiostacioni (1979) ……Nje nga tekniket e Radios
- Koncert në vitin 1936 (1978)… Toger Shazivari
- Zani partizani (1976) (TV)….Partizan-vëlla i zanit
- Emblema e dikurëshme (1976) ……..Veniamin Papa