Veprimi i turpshëm i bërë gjatë transmetimit live nga një prezantuese e BBC-së, në fillimin e reportazhit të lajmeve të orës 12 të së mërkurës, është bërë viral orët e fundit në rrjetet sociale dhe jo vetëm.
Daily Mail shkruan se Mariam Mosiri ngriti gishtin e mesit menjëherë pas hapjes së reportazhit, pasi siç duket nuk e kuptoi në kohë se transmetimi i drejtpërdrejtë kishte nisur. Në klipin që bën xhiron e internetit, Moshiri duket se e kupton atë që ka ndodhur, ndryshon tërësisht shprehjen e fytyrës dhe nis të lexojë një lajm për Boris Johnson.
Megjithatë, fakti që pak çaste më vonë ajo tha “coronaverse” në vend të “coronavirus” në lidhje me pandeminë, tregon se ajo mund të jetë ndier në siklet pasi veprimi i saj është transmetuar.
Disa e kritikuan prezantuesen për mungesë profesionalizmi dhe të tjerë shprehën mirëkuptimin e tyre për gjendjen e vështirë në të cilën ajo u gjend.