Ajo është vetëm 18 vjeçe dhe kohën e lirë ka zgjedhur t’ia dedikojë pasionit të saj më të madh, pikturës.
Një frymëzim i derdhur në telajo përgjatë 5 viteve, dhjetra punime portretesh dhe peisazhesh të 18 vjeçares Sonja Mustafa erdhën përmes ekspozitës “Fisnikëria” në qendrën kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës duke e bërë Sonjë ndër piktoret më të reja me një ekspozitë kretësisht të sajën dhe jo të vetmen prej saj.
“Më pëlqen shumë të pikturoj portrete, sepse ato janë pjesa më e rëndësishme e pikturës dhe shpeshherë më e parapëlqyera e shumë njerëzve, por më shumë më pëlqen të pikturoj portrete të çastit , pasi mendoj se është më sfiduese për mua”, tha Sonja Mustafa.
Ende nuk e ka vendosur profesionin e jetës, por kohën e lirë të saj Sonja do ta përkthejë gjithmonë në një vizatim të bukur.
“Unë ende nuk e kam vendosur se çfarë do të bëhem, por jam drejtuar tek degët e mjekësisë, sepse më pëlqejnë shumë lëndët e kimisë dhe biologjisë. Pikturën për momentin e shoh më shumë si një pasion, sepse është diçka që unë e bëj për të kaluar kohën e lirë”, tha Sonja Mustafa.