11 dhjetori i vitit 1947 është dita në të cilën u nda nga jeta në Bukuresht, Aleks Stavre Drenova, i njohur si Asdreni. Emri “Asdreni” përdorej nga vetë ai për të firmosur poezitë të cilat publikoheshin në gazetat më të njohura si “Kalendari Kombëtar”, “Albania” dhe “Drita”.
Asdreni lindi më 11 prill të vitit 1872 në Drenovë të Korçës. Shkollimin e mesëm e nisi në gjimnazin e qytetit. I mbetur jetim mërgoi në Rumani në 1885, por u rikthye në atdhe në vitet 1889, 1914, 1937.
Kreu Akademinë Tregtare të Bukureshtit dhe më pas u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të atjeshëm, të cilin nuk arriti ta përfundonte. Asdreni ka qenë veprimtar i shquar i kolonisë shqiptare të Rumanisë dhe sekretar i saj për një periudhë mes viteve 1913-1925, ndërsa në periudhën 1922-1934 shërbeu, me disa ndërprerje, si sekretar i Konsullatës Shqiptare të Bukureshtit. Asdreni mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit të 5 nëntorit 1912, në të cilën u vendos të shpallet pavarësia e Shqipërisë. “Betimi mbi flamur” e vjersha të tjera me frymëzim atdhetar luajtën një rol të shënuar në forcimin e ndërgjegjes kombëtare në prag e pas Shpalljes së Pavarësisë dhe në periudhën e konsolidimit të shtetit shqiptar.