Teksa paraditen e sotme në rrjetet sociale dhe mediat online nisi një tymnajë për vetëvrasjen e një zonje 41-vjeçare e cila la 4 fëmijë dhe bashkëshortin pas, mora rrugën pranë familjes për të mësuar më shumë rreth asaj që kishte ndodhur.
Mbërrita në fshatin Vadardhë dhe siç ma kërkon situata dhe puna si gazetar, nisa të pyes pranë një rrugice ku nuk gjendeshim më shumë se 10 banesa private. Një djalosh me një buzëqeshje të zbehur më pa dhe ndaloi të më përshëndeste. E pyeta nëse e dinte se ku ishte banesa e familjes Loka në atë lagje dhe më drejtoi gishtin nga një shtëpi dy katëshe, ku kati i dytë ishte ende i papërfunduar.
- Ajo është, do vish aty?! – më pyeti.
- Po! A ka njeri aty? Familjarë apo dikush? – e pyeta për të kuptuar nëse dikush mund të më priste nëse afrohesha dhe djaloshi mu përgjigj.
- Po është gjyshja, babi, kurse mami më vdiq mua!
I gjendur përpara 10-vjeçarit, fëmijës më të vogël të familjes të të ndjerës, u “çarmatosa” dhe mu ftohën duart. Sa më kishte thënë që e ëma i kishte vdekur sikur kjo të ishte një fjalë goje. Nuk mund ta imagjinoja dëmin emocional që ai fëmijë kishte marrë me atë lajm. Nuk doja ta përqafoja si një fëmijë që është gjynah, sepse nuk doja që as ai dhe as unë të prekeshim, do kishte kaluar mjaftueshëm deri në atë moment, por e vetmja gjë që bëra është ta afroja dhe t’i përkëdhelja kokën. Sytë e atij 10-vjeçari ishin të qeshur ende dhe pse në fytyrë i dukej dhimbja.
Iu afrova shtëpisë bashkë me kolegun tim Renato Malo dhe vendosëm që përpara kësaj situate kamerat dhe mikrofonët t’i linim pas! Ndërkohë që vogëlushi mori kohën për të njoftuar familjarët të dilnin dhe të na prisnin!
Menjëherë në oborr u rreshtuan tre zotërinj që u dallohej në sy që ishin zotërinj të nderuar dhe pas tyre tre djem, dy prej të cilëve ishin çunat e mëdhenj të familjes. Më i madhi ndër ta 21-vjeç.
Babai i fëmijëve më zgjat dorën dhe më flet me zë të mekur, i shteruar nga energjitë dhe fuqia për të vazhduar përpara. Ndërkohë që djaloshi 21-vjeçar, dukej se mbahej për të gjithë të tjerët i fortë në këmbë. U ulëm dhe bashkëshorti i Bedries nisi të më tregojë.
Prej 2 dhjetorit të vitit 2022, Bedria kishte zbuluar që një foto e veta ishte keqpërdorur me mbishkrime nga më denigrueset për një zonjë që nderin e vet dhe të familjes e kishte krenari. Asokohë bashkëshorti në emigrim në Greqi, rikthehet për të qetësuar të shoqen e cila kërkonte ndihmën e tij. I kishin ndjekur procedurat përkatëse në polici, duke bërë denoncim. Foto që Bedries i ishte keqpërdorur, ishte foto e thjeshte që tregonte një zonjë punëtore, dëmi i vetëm ishte mbishkrimi ofendues dhe shpërndarja në rrjetet sociale Tik-Tok, ku foto ishte parë nga 30.000 shikues! Në një Sukth me 15.000 banorë, të shihej ai ofendim nga dyfishi i vendit, mundet thjesht ta aludojmë presionin që ka përjetuar e ndjera.
Familjarët nuk e kishin lënë me kaq dhe kishin kryer vetë kërkimet për të zbuluar se nga i vinte gjithë kjo urrejtje. Vajza e tezes së Bedries së ndjerë! Një grua e cila këtë histori e kishte përsëritur dhe me njerëz të tjerë, kësaj here shinjestër pati Bedrien. Pasi familjarët kishin tentuar disa herë të qetësonin “gjakrat”, kushërira e parë e pranon fajin dhe u kërkon falje, por foton nuk e heq!
Sakaq që kjo bisedë zhvillohej dhe diskutohej nga familjarët me mua ndoshta për të njëqindën herë, djaloshin 10-vjeçar nisi ta zërë gjumi në divan dhe nuk i ndahej babait, vëllezërve dhe motrës.
Kushërira e parë e Bedries, një ditë të bukur i kërkon kolegut të Bedries, një foto të të ndjerës, gjë të cilën kolegua ia jep pasi duke menduar që ishte kushërirë, kurrë nuk do të bënte dëm dhe aq më pak që kjo gjë të çonte në një humbje jete, por kështu ndodhi.
Për një vit në Tik Tok, foto bën xhiron e rrjetit dhe merr ofendimet e ndjekësve, njerëzve të cilët as e njihnin Bedrien Nokën dhe as nuk e dinin ku jetonte.
Dëshira për gjak dhe masakër e bluante rrjetin të cilët panë foton e një zonje me mbishkrime denigruese dhe kaq mjaftoi që të suleshin në sharje dhe ofendime.
“Unë jam nuse në familjen Loka dhe bijë në familjen time! Nuk mund ta pranoj kurrë këtë turp. Do vras veten. Nuk ç’nderoj familjen unë!”, kishin qenë fjalët e Bedries ndaj të shoqit, i cili i ishte shprehur se “Unë e di çfarë gruaje kam, mos u shqetëso. Nuk ka gjë!”, dhe ishte përpjekur ta mbështeste kurdo që ajo ndjehej keq për këtë foto.
Ndoshta pak më i kthjellët dhe me një hall të rënë përpara kohe, djali 21-vjeçar më tregon se nëna e tij kishte kohë që e mendonte vetëvrasjen dhe ia shprehte dhe atij.
Po vinte pragu i vitit të ri 2024 dhe Bedria i kishte kërkuar me ngulm bashkëshortit të kthehej nga Greqia dhe të linte punën që të kalonim vitin e ri sëbashku, të njëjtën gjë kishte bërë dhe me djalin 21-vjeçar i cili punonte gjithashtu në Itali. Një famiëje punëtore dhe e ndershme. Por duket se Bedria kishte marrë vendimin pa kthim pas.
“Mëngjesin e 2 janarit, rreth orës 5:30, ngrihem dhe dëgjoj një frymëmarrje të rënduar. Renda për tek dhoma e djalit që kisha ngjitur, por djali flinte. Më pas u drejtova në korridor dhe gjefa Bedrien të shtrirë në tokë duke marrë frymë rëndë dhe dridhej. Njoftova djalin menjëherë dhe u nisëm për urgjencë! Në tokë ndodhej shishja fotoksinës pranë Bedries.”, më tregonte bashkëshorti i saj i mekur, momentet e frymës së fundit.
Policia e qytetit të Durrësit, më këmbënguli nëpërmjet zëdhënëses se vetëvrasja, nuk kishte të bënte me ngjarjen e Tik Tok, pavarësisht telefonatave të mija të përsëritura si gazezar për të zbuluar dhe një variant ndoshta zyrtar, por jo, pasi ngjarja u bë mediatike, pas shumë orësh kërkime në terren dhe pas deklaratave të familjarëve jashtë kamerave, policia pranoi pjesërisht se ngjarja po hetohet!
Bedrie Loka, një zonjë grua, nënë e katër fëmijëve të mrekullueshëm që pata mundësinë t’i takoja nga afër, i dha fund jetës dhe na la turpin pas! Turpin e dashakeqësisë ndaj gjakut tonë! Turpin e fjalëve të thëna dhe veprimeve tona! Turpin e fjalëve të pathëna dhe mos-veprimit në kohë! Turpin e dështimit të institucioneve shtetërore të cilat ndalojnë krimin, por jo ta parandalojnë atë! Turpin e një shoqërie e cila la dështuar në edukim! Turpin e një shoqërie të frustruar dhe paragjykuese!
Bedrie Loka nuk u vra nga fotoksina, ai ishte vetëm kapaku, akti final, i një karavani vrasjes që bëhen çdo ditë nga pak, nga të gjithë!
Bedrie Lokan nuk e vrau Tik Tok-u! Nuk mund të të vrasi një objekt imagjinar që nuk është i prekshëm! Bedrie Lokan e vramë të gjithë ne me paturpësinë tonë, duke i treguar “turpin” e saj!