Artan Fuga: “Pse ikën shqiptari nga dheu i vet?”

Artan Fuga: “Pse ikën shqiptari nga dheu i vet?”

Nga Artan Fuga

Kot t’i hyj arësyeve sepse edhe po të nis të pyes se përse një veturë shtypi një mace në rrugë do të gjenden me mijëra arësye, edhe që Toka ndodhet atë çast në atë pozicion të rrotullimeve të saja, sepse ka të bëjë me ndriçimin e pamjeve të shoferit!

Kur ca sociologë pa diplomë, pa një vepër, që nuk njohin as bazat tekstuale të sociologjisë i çajnë me arësye të ndryshme banaqet e televizioneve më vjen për të vjellë dhe për të qeshur me naivitetin dhe mashtrimet e tyre!

Sociologjikisht ka një përgjigje që e ka dhënë kjo shkencë në përgjithësi për problemin e asaj që quhet atomizimi i shoqërisë, anomizim i shoqërisë, përjashtim i individit nga shoqëria.

Individi braktis atdheun për një jetë më të mirë gjetiu sepse shoqëria në vendin e tij e ka përjashtuar, e ka përzënë, e ka vetmizuar paraprakisht në vendin e vet.

Cilat janë emigrimet e brendshme?

1. E kanë përjashtuar në një masë të madhe nga sistemi zgjedhor. Ndaç hajde ndaç mos hajde në kutinë e votimit, edhe me tre veta zgjedhjet i quaj të ligjshme!

2. E kanë përjashtuar nga fshati apo qyteti i tij i lindjes. Ike nga fshati dhe vajte në qytet, këtu nuk ke më punë të votosh! Kurse në BE njeriu zgjedh vetë ku do të votojë, në qytetin e madh ku ka vajtur, apo në fshatin e vete ku ka shtëpi dhe katandi,

3. E kanë përjashtuar nga prona. Të gjitha këto privatizime janë bërë për t’a përlarë pronën publike dhe jo për ta privatizuar atë por ama duke i dhënë aksione popullsisë, jo duke e përjashtuar! Privimi nga bursa e aksioneve të së mirë publike, nga aeroportet, fushat me naftë, hapësira ajrore, valët e transmetimeve, energjia elektrike, etj. kanë bërë që Shqiptari të ndahet në një grusht përfituesish, Stiglitz thotë për raste të tjera, 1 përqind e shoqërisë, dhe gjithë të tjerëve me duar në xhepa!

4. E kanë përzënë nga kultura kombëtare, tharje e kinemave, teatrove, estradave, shkollave, muzeumeve, librave me problematikë kombëtare. Pyesni një 15 vjeçar për Naimin, Samiun, Fishtën, Asdrenin, Migjenin dhe do të shihni!

5. Perzënia nga puna, papunësia intelektuale e tmerrshme. Cfarë të bëjë njeriu ta zemë në Tropojë, Konispol, Sarandë, Gjirokastër? O polic, o kamarjer, o pastrues korridoresh, ose shitëse pas banakut për të shitur biskota me afat të skaduar!

Pra, shqiptarin e kanë përjashtuar nga politika, prona, vendlindja, punë, kultura? Pra, e kanë përjashtuar nga shoqëria, e kanë bërë të mos e quajë më shoqërinë si të tijën.

6. Mos them se e kanë përjashtuar edhe nga juritë gjyqësore ku ai si në vende të tjera mund të marrë pjesë në gjykime duke sjellë atje perceptimin qytetar.

I përjashtuar edhe nga dhënia e së drejtës. Shqiptari pra mund të gjykohet nga e drejta, por jo ta japë drejtësinë!

Pasi ja kanë vjedhur pronën, vendlindjen, votën, drejtësinë, kulturën, punën, a është çudi që ai ikën?

Ja ku është fakti, jo arësyeja.

Pasi e kanë zhveshur nga Atdheu i vet, pyesin, përse ikën nga Atdheu!

Dhe në vend t’i rikthejnë atdheun, i thonë me hipokirizi: Rri aty ku ke ikur, dhe që andej futi një votë elektronike nuk dihet se për çfarë, për cilin! Ti voto se numurimin e bëjmë ne!

Dhe opozita bërtet për çdo gjë që i preket, dhe mirë bën, por kurrë nuk ndihet t’i kthejë shqiptarit atdheun që e gjithë klasa politike në këta tridhjet e kusur vite ja ka privuar shqiptarit!