Instituti Shqiptar i Medias organizoi takimin publik me temë “Edukimi për Median dhe Informacionin (EMI) në arsimin formal në Shqipëri”, një aktivitet që bëri bashkë donatorët, Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP), drejtues dhe mësues nga Arsimi i Mesëm i Ulët dhe Arsimi i Mesëm i Lartë nga Tirana, Lezha, Elbasani, Durrësi si edhe organizata të shoqërisë civile që kontribuojnë në fushën e edukimit mediatik.
Ky takim u organizua në përmbyllje të pilotimit të kurrikulës së edukimit për median dhe informacionin në 20 shkollat e arsimit parauniversitar në Lezhë, Elbasan, Durrës dhe Tiranë, proces ky që filloi në 2020. Me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe UNESCO, Instituti Shqiptar i Medias dhe ASCAP përshtatën kurrikulën e edukimit për median dhe informacionin, zhvilluan modulet për trajnimin e mësuesve, trajnuan 10 trajnerë dhe 240 mësues në të gjitha shkollat e përfshira në pilotim.
Gjatë këtij procesi, mësuesit patën mundësinë që të integronin kurrikulën në mësimdhënie për të aksesuar informacionin, zhvilluar aftësitë e të menduarit kritik dhe për krijimin e përmbajtjeve mediatike. Në total, 8456 nxënës në nivelin e ulet dhe 1372 nxënës në nivelin e lartë kanë pasur mundësinë që të dëgjojnë për edukimin mediatik në shkolla dhe një pjesë prej tyre janë përfshirë drejtëpërdrejtë në orët pilotuese.
Pilotimi ka pasur sfida që lidhen me infrastrukturën në shkolla, trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve, ngarkesën mësimore të stafit pedagogjik dhe kohën e shkurtër të pilotimit, megjithatë drejtuesit e shkollave dhe mësuesit shprehen se integrimi i kësaj kurrikule në mësimdhënie është domosdoshmëri dhe si e tillë, duhet të vijojë në mënyrë të qendrueshme.
Zv. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Nina Guga, shprehu angazhimin dhe mbështetjen insitucionale sa i përket edukimit për median dhe informacionin në arsimin formal, të cilin e konsideroi “detyrim ligjor, arsimor dhe moral”, të reflektuar në Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Arsimit si pjesë e zhvillimit të kompetencave digjitale, mediatike dhe qytetarisë demokratike.
Zëvendës-shefi i Seksionit Politik të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Jean-Baptiste Le Bras dhe Koordinatorja e Projektit pranë UNESCO, Adeline Hulin, theksuan se edukimi për median dhe informacionin është thelbësor dhe një prioritet për ta, duke marrë parasysh përhapjen e globale të dezinformimit, keqinformimit, fake news dhe propagandës.
Synimi i palëve të përfshira është që kjo nismë të zgjerohet në nivel kombëtar në të gjitha shkollat në Shqipëri, duke i dhënë mundësinë çdo nxënësi dhe mësuesi të njohin kompentencat EMI dhe t’i kultivojnë ato për të përdorur në mënyrë të mençur median, burimet e tjera të informacionit (si bibliotekat, arkviat, internetin, etj.) dhe për të zhvilluar aftësitë e të menduarit kritik teksa shqyrtojnë dhe krijojnë përmbajtje të ndryshme./institutemedia.org