‘Dilema kushtetuese’, drejtësia ‘e skanuar’ nga Florian Kalaja, gjyqtari i ‘Apelit’: E shkrova gjatë detyrës në tri gjykata! Kolegët: ‘Manual’ për çdo prokuror a avokat!

‘Dilema kushtetuese’, drejtësia ‘e skanuar’ nga Florian Kalaja, gjyqtari i ‘Apelit’: E shkrova gjatë detyrës në tri gjykata! Kolegët: ‘Manual’ për çdo prokuror a avokat!

Nga Anila Dedaj 

Në praninë e personaliteteve të drejtësisë është promovuar vëllimi i tretë i botimit “Dilema Kushtetuese” i gjyqtarit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Florian Kalaja. Autori shtron probleme aktuale të drejtësisë dhe sugjerime për ta sjellë atë më pranë sistemeve ndërkombëtare.

Në përpjekje së paku për t’i evidentuar “Dilemat Kushtetuese”, përpos sugjerimit të zgjidhjeve konkrete, gjyqtari i antikorrupsionit Florian Kalaja sjell botimin e tretë, të një projekti që zë fill në vitin 2016-të.

“Është një libër që është ngjizur në secilin prej 15 krerëve në tre gjykata ku unë së fundmi kam ushtruar detyrën; së pari shumica vijnë nga Gjykata e Apelit Durrës, në Gjykatën e Apelit Shkodër ku kam punuar herë pas here si i deleguar dhe së fundmi janë dy krerë që kanë marrë jetë nga funksioni që ushtroj tani pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Krimin e Organizuar”, shprehet gjyqtari dhe pedagogu Florian Kalaja

Libri u promovua mbrëmjen e së martës në Tiranë mes personaliteteve të drejtësisë, por edhe me interesin e figurave nga fusha të ndryshme. Në 15 krerët e botimit “Dilema Kushtetuese” që mban firmën e tij, gjyqtari Kalaja risjell të retushuara apo për herë të parë shkrime vetjake që prekin sektorin e së drejtës.

“Është një libër shumë i dobishëm, shumë i vlefshëm edhe për praktikën gjyqësore, për çdo gjyqësor, prokuror apo avokat, por i vlefshëm gjithashtu edhe për unifikimin e praktikës gjyqësore. Po ashtu, është  me peshë edhe për zhvillimin, progresiv të jurisprudencës shqiptare “tha Xhezair Zaganjori, ish-kreu i Gjykatës së Lartë në Shqipëri.

Përmes shembujve konkretë dhe me përgjegjësi Kalaja i shtron lexuesve probleme të drejtësisë, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe duke e përballur dhe me atë çka ndodh në gjykatat ndërkombëtare.

“Bëhet i rëndësishëm për shkak të dy fenomeneve, së pari për shkak të proceseve integruese dhe globalizuese dhe për shkak të konstitucionalizmit të vazhdueshëm të së drejtës ndërkombëtare”, shton Zaganjori.

Tre vëllimet e “Dilemave Kushtetuese” hapin një dritare të re në nivel akademik, ku lexuesi njihet me atë që ka qenë situata në drejtësinë vendase, si është, e propozime konkrete për ta sjellë në formën më të mirë të saj, më pranë sistemeve ndërkombëtare.

“Prezantimi i librave të Floranit është kthyer në një traditë. Kjo është diçka e lavdërueshme dhe shumë e mirë për autorin,  i cili hedh aty mendimin e tij jurisprudencial të shoqëruar me ide konkrete, por është e mirë edhe për lexuesin, i cili mund të referohet aty hera herës dhe të gjejë përgjigje lidhur me dilemat e tij profesionale” tha Ilir Panda, zv.kryetar i Gjykatës së Lartë në Shqipëri.

“Floriani është kontribuues në Akademi . Është nga ata që ushqen me gjak atë punë që duhet ta bëjnë të gjithë në fakt, sigurisht doktrinarët por rezulton të kenë qenë pak anemike në Republikën e Shqipërisë”, tha Eralda Methasani, pedagoge, eksperte ligjore.

Ish kreu i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, sugjeron që analizat juridike doktrinare të Kalasë, të përcillen në çdo auditor universitar si dhe në katedrat shkencore./shqiptarja.com