Bashkitë në Shqipëri janë bërë më transparente, duke publikuar programet e tyre të transparencës dhe duke ndarë më shumë informacion për qytetarët, por puna në mbajtjen e premtimeve të kyebashkiakëve në fushata elektorale ende çalon.
Faktoje për të katërtin vit me radhë monitoroi performancën e transparencës së 10 institucioneve të pushtetit vendor në Shqipëri në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Bashkitë e monitoruara janë ajo e Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Korçës, Dibrës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Kavajës dhe Himarës.
Analiza tregoi se nga 40 premtime elektorale të fushatës së Maj 2023 në të dhjetë bashkitë, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht dhe 12 pjesërisht. Ndërkohë, 24 premtime ose rreth 70% e premtimeve të bëra nga bashkitë apo kryebashkiakët e tyre nuk janë mbajtur.
Mbajtja e premtimeve elektorale dhe në rastet kur ato riciklohen nga mandate të mëparëshme vijon të mbetet problematike.
Monitorimi i vitit 2023 vë në dukje se bashkitë me performancën më të lartë përsa i përket transparencës ndaj qytetarit janë ato të Shkodrës, Korçës dhe e Lezhës me 100% dhe më pas ajo e Dibrës duke plotësuar në masën 87.5%, kërkesat e legjislacionit sa i përket transparencës duke realizuar 14 nga 16 indikatorët e matur. Ndërkohë, Bashkia me performancën më të dobët është Bashkia e Kavajës, niveli i transparencës së të cilës është vetëm 18.7%.
Raporti thekson se nëntë nga dhjetë bashkitë e monitoruara kanë realizuar konsultime publike për hartimin e buxhetit, por vetëm tetë prej tyre e kanë publikuar buxhetin vjetor. Performanca është e njëjtë sa i përket konsultimeve me publikun për paketën e taksave dhe tarifave vendore ku 9 nga 10 bashkitë e monitoruara kanë zhvilluar konsultime publike për këtë çështje.
Transparenca është shumë e ulët sa i përket publikimit të Vendimeve dhe Urdhërave të Kryetarit të Bashkisë. Vetëm 3 nga 10 bashkitë e monitoruara i kanë publikuar urdhërat apo vendimet e Kryetarit. Sa i përket transparencës së Këshillit Bashkiak, 8 nga 10 bashkitë e monitoruara kanë njoftuar datën dhe orën e Mbledhjes së Këshillit, Bashkiak. Por, vetëm 5 nga 10 bashkitë e monitoruara kanë publikuar Proces-Verbalet e Mbledhjeve të Këshillit Bashkiak.
Për sa i përket mbajtjes së premtimeve të kryebashkiakëve, rezualton se pjesa më e madhe e premtimeve për investime të reja apo rikonstruksione shkollash, qendrash kulturore dhe ndërhyrje në infrastrukturë, të deklaruara gjatë fushatave elektorale nuk janë mbajtur.
Monitorimi i kryer nga gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile synon të masë nivelin e transparencës në institucionet e pushtetit vendor në Shqipëri si dhe të nxisë ndarjen e informacionit për publikun si dhe llogaridhënien publike lidhur me vendimmarrjen, por edhe menaxhimin e punës së këtyre institucioneve. Premtimet u monitoruan në bazë të një metodologjie që përfshin analizën buxhetore, monitorimin e prokurimit publik si dhe vëzhgimet në terren. Ndër indikatorët e transprancës ishin programi e transparencës, konsultimi publik si dhe zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit.
Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact Checking Network (IFCN) si dhe European Fact-checking Network (EFCSN).
- Për të katërtin vit Faktoje monitoroi performancën e 10 bashkive në Shqipëri me fokus:
Transparencën
Premtimet elektorale
- Në lupën e monitorimit ishin: Bashkia e Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Korçës, Dibrës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Kavajës dhe Himarës
Gjetjet për Bashkinë Durrës
Transparenca
- Niveli i transparencës për Bashkinë Durrës rezultoi 81.2%
- % është llogaritur përmes 16 indikatorëve të matjes së transparencës nga kuadri ligjor i pushtetit vendor
Transparenca
Bashkia Durrës 2022 73.3%
Bashkia Durrës 2023 75%
Bashkia Durrës 2024 81.2%
Premtimet elektorale
- Faktoje verifikoi 4 nga dhjetëra premtimet e kryetares së Bashkisë Durrës, Emiriana Sako gjatë fushatës së 14 majit 2023
1.Rikonstruksioni i rrugëve ‘Zef Ndreka’ dhe ‘Bosko’ në Sukth
2.Godinë parkimi publik në qendër të qytetit
3.Rikonstruksioni i Qendrës Kulturore për Fëmijë
4.Rindërtimi në lagjen numër 5
- Nga këto premtime, 2 rezultojnë të pambajtur, 1gjysmë i mbajtur dhe 1i mbajtur.
- Projekti “40 premtime, 10 bashki” është i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), implementuar nga Qendra Faktoje.