(për kalimtarin që u vra duke shtrënguar bukën në gji, korrik 2019)
Nga Andi Meçaj
Të vrava se të desha shumë! (krim(b) pasioni). Pse më pe shtrembër? (krim(b) kombëtar që duhet shpallur si krim(b) i rëndë). Ndodhi për (ç)motive banale, autori gjendet në drejtim të paditur. Formulime klasike këto që çdo shqiptar i vërtetë duhet me i kornizu e me i zbukuru muret e shtëpive stërgjyshore, ato gjenden brenda nesh, në adn tonë, llogjikisht duhen pranuar me dekret presidencial ose kryeministror, si doke e zakone të shqiptarit denbabaden, qysh ndër kohëra që s’bahen mend. Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) e ka shkruar shumë bukur në një tregim të tij të ndarë në pjesëza: “ABC-ja e Kreshnikëve”. Në një nga ato pjesëzat thotë (nuk i mbaj mend emrat), psh Gjini dhe Gjoni, Gjoni duke ecur gjendet rastësisht pas Gjinit, Gjini e sheh dhe mendon me vete, “po më shkelka hijen!”, si guxon ky! Kush qenka ky tipi që po më përçudnoka hijen! Burri arbënor që i thotë vetes burrë, që i nderon mustaqet e tija dhe trashësinë zërit, por edhe që të ketë namuzin dhe të vazhdojë ta mbajë ende të varur në gjoks medalje nderin e tij farefisnor dhe ta nderojnë e respektojnë në mbarë kasollen e tij, në mbarë kasollet e bashkëfshatarëve te tij mustaqerëndë, në mbarë qytetin e nderuar dhe në mbarë vatanin mbushur burra trima që të marrin gjak në vetull, duhet ta mbrojë nderin e tij doemos të shtrenjtë. Gjinit iu mbush mendja top ta vrasë Gjonin, ngre dyfekun arbënor dhe ia numëron mu n’lule të ballit Gjonit, i cili bie shakull, pa frymë, më nuk frymon Gjoni.
Gjini ndihet krenar, ngre edhe më shumë kokën, fryn gjoksin, hap duart, hap edhe këmbët, shikon triumfator rreth e rrotull, ndihet mbret. Nderi arbënor u vu në vend, merr hijen e tij krahëqafë dhe ik e ik, merr dyfekun e tij krahëqafë dhe ik e ik dhe mendon a do ta marrë vesh vallë Avropi këtë trimërinë time arbënore!?
(Ndjesë pastë Mitrushi, prozatori ynë më i mirë (sipas meje), se vepra e Kadaresë i ka kapërcyer me kohë kufijtë e Shqipërisë e matet me gjigandët e letërsisë atyre prej mishi e atyre prej betoni (si Loni prej betoni).
06.07.2019