Andi Meçaj: NJË SHTATORE PËR PAPËN ME MBIEMËR ALBANI

Andi Meçaj: NJË SHTATORE PËR PAPËN ME MBIEMËR ALBANI

Nga Andi Meçaj

A duhet ngritur një shtatore për papën e vetëm në historinë e Vatikanit që ka mbajtur për mbiemër vendin e origjinës së tij, i cili ka bërë aq shumë për tokat arbërore, gjuhën e saj si dhe për shkollimin në shqip etj?
Papa Klementi XI, Albani, ose Papa Albani e la me testament që tek pllaka e varrit t’i shkruhet edhe fjala Albani. Edhe papa polak Wojtila nuk e kishte shtesën polaku pas emrit të tij, por Papa Gjon Pali II.
Kështu ngrihet krenaria e të qenurit shqiptar, arbëror, ilir… duke bulëzuar sytha iliro – arbërore – shqiptare, figura që janë prej këtij trungu, ata për fat i kemi të shumtë përgjatë historisë 2500 e kusur vjeçare. Duke e mbushur kryeqytetin tonë me këto shtatore të këtyre personaliteteve të përjetshëm, ne do të ngremë në atë piedestal që e meritojmë krenarinë e të qënit pjesë e këtij trungu të stërlashtë dhe do të bëhen modele për filizat e rinj shqiptarë që do të lindin, pasi tani kemi lartësuar e ngritur vetëm shtatoren e amoralitetit, hajdutërisë, krimit, mashtrimit, rrugaçërisë, më të fortit, degjenerimit, kurvërisë, parasë, etj. Shikoni Maqedoninë e Veriut, me histori të vjedhur, harxhon miliarda euro dhe ngre në piedestal personalitete e figura që nuk i përkasin asaj por kulturave e popujve të tjerë, pra megjithëse nuk ka figura historike të sajat i përvetëson ato, kurse ne kemi aq shumë dhe nuk denojmë t’i ngremë në piedestal por i lëmë të myken kthinave të kohëve duke i lënë ashtu në harresë ose duke ua bërë dhuratë të tjerëve…