Nga Eduard Zaloshnja
Nga 3.21 milionë shtetas të regjistruar në Gjendjen Civile në fund të 1989-ës, vetëm 1% banonin jashtë Shqipërisë; nga 4.65 milionë shtetas të regjistruar në Gjendjen Civile në fund të 2023-shit, plot 43% banonin jashtë Shqipërisë.
Në fund të vitit 1989 – para se të hiqeshin telat me gjemba nga kufijtë e Shqipërisë – në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 3.21 milionë shtetas shqiptarë. Nga këta, sipas regjistrimit të popullsisë që u krye atëherë, 99% jetonin brenda vendit – vetëm 32 mijë shtetas rezultonin emigrantë (politikë apo ekonomikë).
Në fund të vitit 2023, në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 4.65 milionë shtetas shqiptarë. Nga këta, sipas një vlerësimi të përafërt statistikor që kam bërë bazuar në një sondazh rigoroz në terren, rreth 57% jetonin brenda vendit. Pra, rreth 2 milionë rezultojnë në emigracion.
Po cilat janë etapat e rritjes së numrit të emigrantëve nga 0.03 milion më 1989, në 2 milionë sot?
Vitet ’90 shënuan një eksod biblik të shqiptarëve drejt Italisë, Greqisë, e vendeve të tjera. Si rezultat, në vitin 2001 kishim pothuaj 1 milion shtetas shqiptarë jashtë vendit – në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin pothuaj 4 milion shtetas shqiptarë, ndërsa nga regjistrimi i popullsisë në fund të vitit 2001, numri total i banorëve rezultoi 3 milionë.
Në dekadën e dytë të demokracisë, eksodi i shqiptarëve vazhdoi, por jo më me përmasa biblike – numri i shtetasve shqiptarë jashtë vendit u rrit nga 1 milion që ishte më 2001, në 1.5 milion më 2011 (u shtuan 0.5 milion). Konkretisht, në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 4.3 milionë shtetas shqiptarë, ndërsa nga regjistrimi i popullsisë në fund të vitit 2011, numri total i banorëve rezultoi 2.8 milionë.
Edhe në dekadën e tretë të demokracisë, eksodi i shqiptarëve vazhdoi, por ishte i barabartë me atë të dekadës paraardhëse – numri i shtetasve shqiptarë jashtë vendit u rrit nga 1.5 milion që ishte më 2011, në 2 milion më 2023 (u shtuan 0.5 milion). Konkretisht, në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin në fund të vitit 4.65 milionë shtetas shqiptarë. Ndërsa nga një vlerësim i përafërt statistikor që kam bërë (bazuar në një sondazh rigoroz në terren vjet në vjeshtë), rezulton se banonin në vend rreth 2.65 milionë nga këta shtetas.
Prej kurbës së emigracionit nga dekada në dekadë (shihni grafikun shoqërues), mund të konstatohet se ritmi i emigracionit është ngadalësuar në krahasim me dekadën e parë të eksodit të madh, por mbetet përsëri shqetësues për zbrazjen e vendit nga popullsia. Nëse emigracioni vazhdon me ritmin aktual, pas pesë vjetësh, do të kemi më shumë shtetas shqiptarë jashtë Shqipërisë se sa brenda saj (aktualisht janë 43% në emigracion).
*Shënim: Nga 4.65 milionë shtetas shqiptarë gjithsej, 3.65 milionë janë në moshë për votim. Ndër këta të fundit, 1.6 milionë janë në emigracion.