Në Fier është çelur ekspozita me piktura dhe skulptura e grupimit artistik “Muri” e cila do të qëndrojë e hapur për 10 ditë.
Grupimi artistik “Muri”, përbërë nga 13 artistë të arteve pamore çeli ekspozitën e pestë në Galerinë e Artit “Vilson Kilica” të qytetit të Fierit. Artistët sollën punimet e tyre në pikturë, skulpturë, karikaturë apo teknikë mikse.
Në të marrin pjesë Adrian Devolli, Mustafa Arapi, Violeta Kongo, Mira Kuçuku, Llambrini Dëna, Fatmir Tufina, Agron Polovina, Arben Meksi, Fatmir Minga, Leon Çika, Luan Boriçi, Idriz Balani dhe Marjana Goxhabelliu.
“Është një urë bashkëpunimi dhe prezantimi të punimeve më të fundit të këtij grupimi. Ai përbëhet nga disa nga personalitetet më të rëndësishëm të artit shqiptar si. Pikturë, skulpturë, karikaturë apo teknikë mikse ajo përveç vlerave të padiskutueshmë estetike është një mundësi për të kuptuar zhvillimet më të fundit të artit vendas. Si e tillë ajo është një mundësi për gjithë publikun artëdashës të qytetit tonë për tu lidhur e komunikuar me kolegët e tyre”, tha Arben Meksi.
Ky është edicioni i 5-të i “Muri”-t dhe ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 20 shkurt në qytetin e Fierit.