Kiço Londo me Sofokliun në ArTurbina, personazhet mes zemërimit dhe dëshirës për hakmarrje

Kiço Londo me Sofokliun në ArTurbina, personazhet mes zemërimit dhe dëshirës për hakmarrje

Vijon të shfaqet në teatrin “Eksperimental” në ArTurbina shfaqja “Elektra” e Sofokliut. Kiço Londo sjell personazhet tragjikë në të gjithë zemërimin e tyre dhe dëshirën për hakmarrje

Ka hequr dorë nga çdo gjë “Elektra” që Kiço Londo propozon përgjatë këtij muaji në skenën e Teatrit Eksperimental në ArTurbina. Pas jetës, personazhin tragjik të Sofokliut e mban të lidhur shpresa e hakmarrjes për vdekjen e të atit.

Është Laura Nezha që sjell të bijën e Agamemnonit, me të gjithë tërbimin e saj për të ndëshkuar nënën Klitemnestrën dhe të dashurin e saj Egistin, që vranë mbretin e Mikenës për të uzurpuar fronin.

Në pritje të vëllait të saj Orestit, për të përmbushur vrasjen e nënës, Elektra fle jashtë një thertoreje, e rreckosur dhe e lënë pas dore. E kuqja e gjakut pushton krahas skenës, veshjen e Klitemnestrës, që interpretohet nga Gladiola Harizaj. Krimi dhë mëmësia e kapluar nga dhuna ndjek pas figurën e saj.

Alert Çeloaliaj portretizon me lojën e tij ‘të mprehtë’ mësuesin e Orestit duke i dhënë më shumë dinamikë zhvillimit të tragjedisë. Publiku përjeton ndjesitë e ankthit të personazheve, padurimit për gjyqësi, përplasjeve të forta, pasi e shkuara përndjek secilin prej tyre.

Në skenë luajnë aktorët Denisa Demaj, Engëll Hoxha, Gert Ferra, Kevin Rrapaj, Medi Gurra, Asiana Koka, Melisa Manuka, Suela Prendi, Greta Baci. Shfaqja “Elektra” e Teatrit Shëtitës “Çajupi”, siç thotë regjisori Londo do të lëvizë nëpër rrugën Egnantia. Nisi në Durrës dhe do të vijojë deri në Kostandinopojë, Selanik e Athinë./shqiptarja.com