Misteri dhe magjia e maskave unike veneciane që prodhohen përtej Adriatikut

Misteri dhe magjia e maskave unike veneciane që prodhohen përtej Adriatikut

Karnavalet festohen në të gjithë botën me maska e veshje plot ngjyra, origjinalitet, energji dhe festa në rrugët e qyteteve. AFP i ka kushtuar një shkrim pikërisht maskave veneciane që përdoren gjatë karnavaleve, ballo apo sete filmash, të cilat një nga punishtet më të njohura e kanë në qytetin e Shkodrës.

Çdo vit, shkruan AFP, “Fabrika e Maskave të Artit Venecian” në Shkodër prodhon më shumë se 20 mijë maska ​​të punuara me dorë, duke përfshirë 1,700 pjesë unike vetëm këtë vit, që do të vishen nga personat që festojnë karnavalet nga Rio-de-Zhanejro deri në Tokio.

Pjesa më e madhe e maskave shiten në Venecia, ku karnavalet e këtij viti iu kushtuan Marco Polos, një prej ikonave të qytetit pasi shënohej dhe 700 vite nga vdekja e tij.

“Me pupla, dantella apo kristale Swarovski, maskat veneciane këtë vit janë bërë për të tërhequr të gjithë sytë falë elegancës së tyre shkëlqyese”, tha për AFP Edmond Angoni, pronari dhe artisti kryesor pas Fabrikës së Maskave të Artit Venecian.

Ndër artikujt më të njohur këtë vit janë maskat e mëdha të kafshëve të frymëzuara nga veprat e piktorit austriak Gustav Klimt dhe artistit çek Alphonse Mucha.

Çdo model i ri fillimisht është skalitur në argjilë, më pas lëmohet me letër të posaçme. Procesi përfshin gati një seri fazash dhe mund të duhen javë për të përfunduar një pjesë të vetme. 

“Çdo maskë ka historinë e saj, frymën e saj, misterin dhe magjinë e saj. Mbi të gjitha, çdo maskë është një vepër arti”, tha Gise Zeqo, e cila punon në studio që kur u hap 27 vjet më parë.

“Nga më e thjeshta tek më ekstravagantet, e madhe apo e vogël, çdo maskë është një pjesë unike, një vepër arti unike”, tha Angoni.

Që nga hapja e dyerve të saj në 1997, studioja në Shkodër ka prodhuar qindra mijëra maska, përfshirë ato të veshura në thrillerin erotik të Stanley Kubrick “Eyes Wide Shut”, me aktorë Nicole Kidman dhe Tom Cruise./rtsh.al