Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ka publikuar një foto të dielën nga puna për rikonstruksionin me të cilin po i nënshtrohet kinemaja e qytetit, duke iu përgjigjur paralelisht edhe këshilltarëve të “Rithemelimit” në këshillin bashkiak.
Sipas Becit, ngjyra me të cilën është lyer kinemaja është një “pastel” klasik, dhe sulmi vjen si pasojë e dëshpërimit nga humbja e thellë në zgjedhjet e vitit 2023.
“Ngjyra e re e kinemasë quhet ‘pastel’, një ngjyrë klasike, moderne dhe e dashur për syrin, ‘pastel’ është një nga ngjyrat më harmonike që ekzistojnë”, shkruan Beci.
“Të dëshpëruar nga humbja e thellë në Shkodër, këshilltarët e ‘non- gratës’ sulmojnë çdo investim të ri nga bashkia e çliruar e Shkodrës, madje merren edhe me ngjyrat, ku një ngjyrë klasike si “pastel”, këshilltarët me bordero tek foltorja e quajnë ‘ngjyrë rilindase’”, vijon Beci.
Sipas tij, kinemaja e Shkodrës po i nënshtrohet një rikonstruksioni total, brenda dhe jashtë, për t’i kthyer kinemasë dinjitetin e humbur dhe nuk do të jetë më kurrë klub dhe vend bixhozi.