Nga Alban Daci
Vendi ka nevojë më shumë se kurrë për forcën e intelektualëve që përmes mendimeve apo analizave të tyre duhet të jenë një mburojë e interesit publik dhe po ashtu duhet të jenë në shërbim të demokracisë!
Situata aktuale, jo vetëm në mjediset e pushtetit që tashmë nuk reflekton interesin e shumicës, por edhe brenda Opozitës kërkon reflektim seriozë të paktën nga ata që konsiderohen intelektualë ose që kanë një peshë të konsiderueshme publike.
Qasja që bëjnë shumica dërmuese e intelektualëve në studiot televizive ose edhe në formatet e shprehjes së mendimit përmes penës nuk ju bën nder as tyre e as nuk është në shërbim të vërtetës për të vërtetuar krizën e madhe që ka politika shqiptare në përgjithësi dhe elita politike në veçanti!
Të gjithë e dinë e duhet t’a dinë se kriza dhe problemi kryesor i Opozitës nuk është çështje numrash në bulevard! Me numrat është bërë vazhdimisht politikë në Shqipëri dhe thuajse asnjëherë nuk është thënë e vërteta siç është, por është manipuluar ajo për të manipuluar edhe perceptimin e shumicës e forcës në qasjen optike tek qytetarët.
Po kush është problemi i Opozitës sot ose më saktë kush është halli i saj? Nga optika e çdo qytetari që nuk del në televizor, por televizorin e shikon nga shtëpia mes papunësisë, rrogave të ulëta, çmimeve të larta është se kjo Opozitë sfidën më të madhe ka të marr pushtetin, të mund Ramën! A mjafton kjo dhe a është ky interesi i qytetarëve?
Misioni i Opozitës për të mundur Ramën e për të marrë pushtetin është vetëm në interesin e tyre të ngushtë, por nuk është në interesin e shumicës! Ata qytetarë që janë kundër Ramës nuk janë, sepse e kanë personale me këtë të fundit, por sepse me siguri nuk janë dakord me modelin e tij të qeverisjes dhe të administrimit të publikes!
Ata janë kundër Ramës dhe me çdo model të ngjashëm me të tijin e duan nga Opozita një model të ri me vizione të reja! A është Opozita e sheshit ndryshe nga Rama? Apo ndoshta në optikën e qytetarëve modeli Opozitar është formë e devijuar dhe ndoshta më e keqe se ajo që Rama ju ofroj çdo ditë?
Çfarë sjellë kjo Opozitë në shesh? Asgjë të re! Të njëjtën gjellë të gatuar për 30 vjet më të njëjtët guzhinier e kamarier! A ka shpresë të re kjo Opozitë? Nuk mund të ketë shpresë të re dhe nuk mund të konsiderohet shpresë e re për sa kohë nuk ka asgjë të re në përbërjen e saj! Madje nuk ka as moral, as parime e as koherencë!
Duket një bashkim i forcuar nga halli dhe nevoja për pushtet që ju duhet për të mbajtur dhe mbrojtur status quon e tyre të fituar në këto 30 vite tranzicion!
Opozita e sheshit duket sikur ka dy qëllime:
– të mund Ramën se ju duhet pushteti
– të marrin vulën e PD sepse është i vetmi mekanizëm për të mbajtur pushtetin e për t’u faktorizuar politikisht!
Pse them kështu? Sepse nuk kam dëgjuar asgjë se cila është ëndrra e tyre për Shqipërinë e pas Ramës nëse e mundin këtë të fundit! Çdo lider përveç se duhet të marr pushtetin duhet të ketë edhe një model dhe një vizion se si duhet të jetë vendi! Nuk shoh ndonjë vizion apo ëndërr përtej nevojës e dëshirë që kanë për të mundur Ramën me qëllim final marrjen e pushtetit!
Formati i Opozitës sot është një indicie për cilësinë e qeverisjes nesër! Ky formati i Opozitës të shesheve nuk ka asgjë të re, sepse janë provuar e stër provuar si e njëjta gjellë për vite me radhë në tranzicion! Moral i Opozitës sot është garanci për seriozitetin e nesërm në qeverisje! Kush është morali i kësaj Opozite?
Shqiptarët kanë një betejë shumë të vështirë e shumë të rëndësishme të mundin këtë establishment i cili nuk ka asnjë dallim mes Opozitës dhe Pozitës, por shpreh në mënyrë esenciale nevojën e tyre për t’a mbajtur peng politikën dhe për t’a pasur në shërbimin e tyre! Intelektualët, të vetëshpallur ose serioz duhet të jenë racional në qëndrimet e tyre e duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo të njerëzve të pushtetit!