Gazetari dhe aktivisti Isa Myzyraj është kërcënuar për shkak të detyrës. Ky incident alarmues për shtypin e lirë, ka ndodhur më datë 12 mars, ku në emailin e redaksisë së televizionit Ora News, ka mbërritur një kërcënim anonim.
RevoKult solidarizohet dhe mbështet gazetarin Isa Myzyraj për të vazhduar misionin e tij pa kompromis dhe të lirë drejt zbulimit të vërtetës.
Postimi i plotë:
Në emailet e Drejtuesve të Televizionit ku unë Punoj ka mbërritur sot një mesazh kërcënues ndaj meje.
Sigurisht që do të ndërmarr hapat ligjorë duke e denoncuar në Policinë e Shtetit këtë email të mbërritur tek drejtuesit e televizionit.
Gjuha e urrejtjes ndaj aktivistëve sigurisht që nxitet nga personazhe të cilët kanë gjetur hapësira si në mjedise publike ashtu edhe në media.
Pasojë e drejtëpërdrejtë e fushatave të shpifjeve dhe dezinformimit nga grupacione ekstremiste janë këto kërcënime mjaft shqetësuese jo vetëm ndaj meje por ndaj të gjithë aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Shqipëri.
Kërcënimi vjen pak javë pasi Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara u këcënuan me vrasje për shkak të aktivizmit të tyre.
Me këtë rast u bëj thirje institucioneve që t’i marrin me seriozitet këto akte dhe të vendosin para drejtësisë përgjegjësit.
Sakaq më tej Myzyraj ka kryer depozitimin e kallëzimit penal nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor, bën me dije në rrjetet e tij sociale:
Së bashku me avokatin Marash Logu kam depozituar në Polici kallëzimin penal mbi kërcënimin që kam marrë të martën.
Kërkova nga autoritetet;
– Të zbulohet identiteti i autorit/ëve që qëndrojnë pas atij kërcënimi shqetësues.
– Të ushtrohet ndjekje penale ndaj autorit/ëve
– Të zbulohet motivi ose motivet e këtij kërcënimi
– Të merren masa mbrojtëse policore për sigurinë time deri në sqarimin e plotë të kësaj situate.
Askush nuk mund të ndihet i pasigurtë në këtë vend për shkak të punës dhe aktivitetit të tij!