NJË LULE NGRITI KRYE
Një lule lindi sot
ajo qeshi dhe
seç tha ca fjalë,
ca fjalë të qeshura
dhe gazmore,
për një puthje malli
a dashuri njerëzore.
Një lule lindi
tek një djalë,
ishte i vogël, i pa faj,
në duar i mbinë
sytha të rinj,
në këmbë gjethe,
në flokë gonxhe,
nga trupi i dalin degë,
në këpucë rrënjët e forta
ia rrëmbejnë ecjen.
Një lule lindi sot
në rrugicën time,
jo në lulishte
apo baçe të komshiut,
ajo ngriti krye
derisa çau asfaltin,
mbiu e hodhi shtat
në mes të rrugës,
asaj rruge
që të gjithë
e quanim:
“Rruga e batakçinjve”.
KËNGË ME DIELL NË ATDHE
Dëgjohet kënga e zogjve,
i këndojnë pranverës
dhe dashurisë,
në ajër,
e rrëmbejnë vogëlushët,
fillojnë të lozin me të
si top,
dielli, balonë stërmadhe
shkrin nga lumturia,
djeg e nxeh fytyra të rinjsh
që puthen.
Nënë Evanthia mbledh kanaçe
dhe indiferencën e kalimtarëve,
qeni endacak pullali
u leh makinave
dhe dy policëve
që kundërmojnë raki,
gruaja e bukur
tregon shalët,
nën minifundin e padukshëm
fshihen gjithë sytë e botës.
Peshku koce
i quajtur Artur,
ankohet se
nuk pati kohë
të linte amanetet,
ndërsa rrjeta
e peshkatarit Anton,
e mbërtheu dhe e përplasi
në varkë.
Mariana është 40 vjeçe,
e ndarë,
ka shumë lekë
por asnjë dashuri,
pi ilaçe të mbajë në formë
mendtë e kokës,
Demua është 40 vjeç,
i pamartuar,
i papunë,
dy herë e kanë kthyer
nga Gjermania,
tenton të iki prapë,
të dashur nuk ka,
nuk ka kohë thotë
të ushqejë të tjerë
me iluzione boshe,
i mjafton vetja e tij.
KA PIRË DHE PO PUSHON PAK
mos e zgjoni,
ai ka pirë
dhe po pushon pak.
Koka i vjen rrotull,
kujtimet i vijnë rrotull,
bota i vjen rrotull,
shtrin dorën,
ndalon lodrën rrotulluese
ku ka hypur,
qan, ulërrin,
nuk do të zbresë
nga kali,
dëshiron edhe më shumë
xhiro,
mamaja e tërheq
me forcë,
e ngre në krahë
dhe ikin.
Para syve sheh Vefin,
prostitutën e lyer,
e zhgryer të lagjes,
kanë bërë seks atë ditë
me shi,
me një fjalë
ajo i bëri të tëra,
një 14 vjeçar
nuk ka si të dijë
nga ato punëra,
virgjërinë e bleu
shtrenjtë,
një triko leshi
dhe një palë xhinse
ishin një pasuri e tërë
në ato kohëra varfërie.
Plaga në ije,
i dhemb ende
kur është kohë e keqe,
ia bëri dhuratë
i forti i shkollës,
donin të dy
të njëjtën vajzë,
thika e tij si sharrë
iu ngul një mëngjes
me diell,
shpëtoi mirë,
të gjithë i thanë
se kish lindur me këmishë.
Gruaja me dy fëmijët
e braktisi,
pas 10 viteve martesë,
kish filluar të shpohej
me shiringë,
në fillim pinte mëngjeseve
me shokët e punës,
mbasdite me shokët e lagjes,
në darkë me Çimin,
parazitin e pallatit ku banonte,
nuk kish punuar kurrë
në jetën e tij,
vidhte dhe pinte.
E la dhe vetë punën,
pinte dhe vetëm pinte,
pinte dhe lekët e bukës,
rrihte gruan
se nuk i jepte lekë
për drogë,
pas ca vitesh,
e shoqja iku në Itali
me fëmijët,
u martua me një italian,
fëmijët u rritën,
mbaruan universitetin,
u martuan.
Përpara syve i shfaqet
një plak,
plak nuk është,
rreth 60 vjeç,
me dhëmbë të rënë,
me flokë të gjatë,
të bardhë e të palarë
dhe mjekër të madhe,
rroba të vjetra,
të pista,
mbledh kanaçe, plastikë
dhe çdo gjë
që mund të shitet,
nxjerr sa për një
krodhe bukë
dhe për të pirë,
por kur pi
do të bëhet tapë,
të dehet i gjithi,
të harrojë dhimbjet
e shpirtit,
por shpirti i tij
nuk dehet asnjëherë,
e mundon edhe
më shumë
e nuk bëhet xurxull
kurrë,
ia kujton gjithnjë
e gjithnjë
plagët e tij.
Po fle një njeri,
mos e zgjoni,
ai ka pirë
dhe po pushon pak.
Mars 2024