Dy sugjerime librash për të nisur mbarë pranverën nga Klea Cërri

Dy sugjerime librash për të nisur mbarë pranverën nga Klea Cërri

Pranvera është stina e lumturisë dhe e bukurisë! Lulet çelin, zogjtë rikthehen me këngën e tyre, ditët janë më të gjata, dielli lëshon ngrohtësi që të lulëzon shpirtin dhe në ajër ndjehen copëza mirësie dhe hareje. E ku ka më mirë se në këtë stinë të magjishme të zgjedhësh librat e duhur për të lexuar!


Dy rekomandimet tona për këtë kohë janë ‘Gruaja e Këpucarit’ dhe ‘Gabriela, Karafil dhe Kanellë’. Të dy janë romane të mrekullueshëm që lexohen me një frymë dhe të mbajnë mbërthyer ndaj vetes deri në faqen e fundit.


Te libri i Adriana Trigianit, ‘Gruaja e Këpucarit’ do të ndeshemi me dy personazhe të jashtëzakonshme, Çiron fatkeq që nuk u rrit me një familje dhe ndjente mall për të dhe Encën guximtare që për familjen e saj të madhe ishte gati të sakrofikonte dhe jetën. Të dy të rinjtë u njohën për herë të parë në atdheun e tyre, në alpet e Italisë ku ajri i pastër ia mbushte mushkritë me shpresë. Pa e stisur u nisën drejt Amerikës, tokës së mundësive të mëdha për të rifilluar një jetë të re. Fati deshi që ata të bashkoheshin atje dhe të nisnin historinë e tyre të dashurisë së bashku me bashkudhtar të tjerë që i njohën gjatë rrugës. Në këtë roman do ta gjejmë dashurinë në çdo formë të saj. Kjo e bën atë tërheqës dhe joshës, njëjtë siç e bën dashuria për lirinë individuale joshës roman e Jorge Amados, ‘Gabriela, Karafill dhe Kanellë’.

Në këtë histori do të njihemi me një sërë personazhes që bashkohen me njëri tjetrin herë nga fati i shkruar dhe herë nga zgjedhja e tyre. Por më e shkëlqyeshmja prej tyre është Gabriela, që mbante një aromë karafili përzijer me kanellë. E cila donte lirinë dhe kuzhinën mbi çdo gjë tjetër, prandaj dhe gatimet e saj ishin tmerrësisht të shijshme, ndërsa hiret e zonjushës në fjalë ishin shqetsueshmërisht të parezistueshme. Gjithkush e dëshironte, por askush nuk mund ta kishte të gjithën për vete, sepse ajo i përkiste vetvetes dhe kuzhinës së saj plot erëza.