‘Alkimisti’ është një vepër e jashtëzakonshme, e cila është përqafuar nga 50 gjuhë të ndryshme dhe besohet të jetë lexuar nga gjysma e popullsisë së botës. Mesazhi kryesor që qëndërzohet në këtë libër është të ndjekurit qëllimin që secili individ ka në jetë dhe jo t’i nënshtrohet fatit që i parashtrohet nga rrethanat.
Romani flet për Santiagon, një bari, i cili dëshironte të udhëtonte nëpër botë dhe të kishte dije të gjithanshme, që refuzoi të bëhej prift duke mos përmbushur dëshirën e prindërve të tij. Ai fillon një udhëtim drejt piramidave të Egjiptit për të gjetur një thesar që i dilte në ëndërr, gjetja e të cilit ishte qëllimi i tij në këtë botë.
Gjatë këtij udhëtimi të gjatë dhe lodhshëm, ku shpesh herë Santiago mendonte të kthehej pas, ai takon shumë njerëz dhe miq që i mësojnë dashur pa dashur gjëra të vyera në jetën e tij.
Ciganja që i parashikoi fatin në krye të librit dhe e siguroi që ai do të gjente një thesar i mëson atij, por edhe ne lexuesve që duke besuar ne mund të ndërmarim hapa të mëdha.
Djali që i vodhi parat duke e lënë pa asnjë dyshk në xhep, na mëson se nuk duhet t’i besojmë gjithëkujt vetëm sepse ata janë të sjellshëm dhe duken njerëz të mirë.
Ndërsa nëpërmjet plakut të dyqanit të qelqurinave ne kuptojmë se duhet ta duam dhe ta mirëmbajmë punën që ajo të ecë dhe të na japi fryte. Duhet të kujdesemi gjithmonë për çdo gjë që kemi nën zotërimin tonë, vetëm kështu do të mund të fitojmë mbi pritshmëritë e përgjithshme që kemi.
Duke vazhduar më tej tek dy mësimet kryesore të romanit ‘Alkimisti’ që janë të ndjekësh ëndrrat e tua, dhe të gjesh qëllimin tënd në këtë jetë, ose siç shprehet Melzhideku, plaku që dinte të tashmen dhe të ardhmen, legjendën vetjake. Ai i tregon Santiagos se çdo kush në këtë jetë ka një legjendë të vetën dhe duhet të përpiqet ta përmbushë atë sepse me përmbushjen e saj jetesa do të bëhet më e thjeshtë dhe më e bukur, duke u qëndërzuar tërësisht drejt vetvetes. Ai gjithashtu e paralajmëron Santiagun se ai duhet të lexojë çdo omen që paraqitet përballë tij, si mundësinë e vetme për realizimin e ëndrrave që kishte.
Duke lënë mënjanë të gjitha mësimet dhe këshillat që i rrëmbejmë këtij libri, vlen për tu përmendur që është tërheqësisht i thjeshtë, i bukur dhe i lehtë për tu lexuar. Mbarohet brenda një dite, sepse çdo ngjarje rrjedh natyrshëm dhe nuk të bëhet ta lëshosh nga dora atë histori të mrekullueshme drejt përmbushjes së ëndrrës dhe kuptimësisë së dashurisë.