A keni hasur edhe ju vështirësi në përzgjedhjen e librave për fëmijë, sa herë i jeni afruar librarive për të bërë dhurata, ose për t’ia blerë fëmijëve tuaj? Gjithmonë kam menduar se idealja do të ishte t’i lexonim ne prindërit përpara fëmijëve, librat që do t’i rekomandonim. Kështu do të ishim në brendësi të historisë së qasur kundrejt tyre, por edhe do të kuptonim akoma edhe më mirë ndjesitë e tyre pas leximit.
Librat për fëmijë janë të shumtë dhe nga kjo shumësi e pafundme unë sot përpilova një listë të shkurtër me 5 romane, por kjo nuk do të thotë që vetëm këto ia vlejn, kjo do të thotë që do të ketë edhe artikuj të tjerë kushtuar letërsisë për fëmijët tanë. Kësaj rradhe kam zgjedhur vetëm rekomandime të autorve shqiptar.
Princi Diellor – Viktor Canosinaj
Ky roman është shumë i bukur dhe i dashur për mua. Në të trajtohet historia e trishtë e princit Diellor, i cili pati fatin e keq të kishte një njerkë që lakmonte pushtetin dhe qeverisjen e mbretërisë. Përgjatë udhëtimit të tij ai takohet me shumë miq, të cilët e ndihmojnë për të rimarrë atë që i takonte me të drejtë; fronin e Diellorëve.
Bormali- Viktor Canosinaj
Për të gjithë ata fëmij që i adhurojnë kafshët, ky roman është një dhurat ideale. Ai është i shkurtër, plot aventura dhe plot mesazhe, që i mësojnë të vegjëlve sesi të sillen me katërputroshët. Bormali, është një qen i bardhë, bukurosh dhe me sjellje të mirë, por për fatin e tij të keq pronari i tij ishte shpirtlig. Me ndihmën e qenve të tjerë ai mundi të arratisej dhe të fillonte aventurat e tij të pafundme.
Meriyll- Viktor Canosinaj
Meri ishte një vajzë 13 vjeçare që i duhej të përballej e vetme me humbjen e nënës së saj, me përkujdesjen e vëllait të vogël dhe të babit të alkolizuar. Dhe krahas këtyre i duhej të përqëndrohej në shkollë dhe të arrinte rezultate të mira. Një libër që i mëson fëmijve dashurinë prindërore dhe atë vëllazërore, që i mëson ata të vlerësojnë atë çfarë kanë.
Çufo dhe Bubi Kaçurrel – Gaqo Bushaka
Të gjithë librat e serisë së Çufos, janë të mrekullueshëm për fëmijët. Përmes tyre përcillet humor, pozitivitet dhe plot hare për leximtarët e vegjël. Kush i lexon i ka hak disa të qeshura.
Fantazma dhe plani 3 +4 – Petro Marko
Përveçse do të kënaqen duke lexuar një roman fantastik, fëmijët do të mësojnë edhe më shumë informacione rreth historisë së popullit shqiptarë. Duke u futur nëpërmjet tingujve dhe ngjyrave të mrekullueshme në një botë krejt tjetër që vetëm Petro Marko mund t’ia ofroj.