“Në kohën e fluturave” nga Klea Cërri

“Në kohën e fluturave” nga Klea Cërri

Nëse keni dëshirë të lexoni një libër të fuqishëm, të vërtetë dhe plot emocione gjendeni në artikullin e duhur. Rekomandimi i sotëm është romani “Në kohën e Fluturave” nga autorja Julia Alvarez, i cili ëahtë i jashtëzakonshëm, tërheqës dhe mbreslënës. Një roman që i përket zhanerit historik, por nuk mund të ishte më letrar sa është.


Historia që tregohet i përket katër motrave, Patrias, Minervës, Maria Terezës dhe të mbijetuarës së fundit në mesin e tyre Dedes. Ato duheshin shumë, ishin pjesë të një pazëlli që plotësonin njëra-tjetrën. Të katërta ishin të ndryshme, Patria ishte besimtare e devotshme, çdo hap që kishte ndërmarrë në jetën e saj ishte në përputhje me udhëzimet e zotit. Kishte krijuar familje, dashuronte bashkëshortin e saj, kujdesej për shtëpinë dhe shkonte në kishë rregullisht. Minerva ishte rebele, dashuronte lirinë dhe kërkonte ndryshimin e gjithë shoqërisë për një të ardhme më të mirë. Ajo nuk njihte dallim gjinor, nuk njihte pengesa ishte sy patrembur dhe guximtare. Maria Tereza ishte më e bukura ndër to, ngjasonte si një zanë lumenjsh me ato gërshetat e saj të bukur e të gjatë. Ajo dashuronte dhe donte të dashurohej, ishte në dijeni të hireve të saj të mrekullueshme dhe priste dikë që t’i admironte ato.


E urta Dede ishte e kundërta e motrave të saj. Ajo mendonte se e donte jetën që bënte, por në të vërtetë i mbushte mendjen vetes sepse nuk kishte guxim të bënte ndryshe. Ishte një ekonomiste e vërtetë, e mbështeste gjithmonë të shoqin në ndërmarrjet e reja, por e vërteta është që ajo nuk kishte guxim aq sa të motrat, prandaj dhe mbeti e vetmja e mbijetuar.
Të rritura nën regjimin e ashpër të diktatorit Trujillos në Republikën Domenikane të etura për liri, ato organizuan revoltën e fshehtë nën emrin e fluturave. Motrat Mirabales së bashku me bashkëshortët e tyre organizuan një ndër lëvizjet më të fuqishme kundër regjimit diktatorial. Por fati i tyre qe tragjik, ato u largun drekt lirisë duke lënë Deden të vetme për të rritur fëmijët e tyre. Ajo nuk ishte një hallkë e fuqishme në revoltë, por në rritjen e të gjithë fëmijëve të të motrave ajo ishte hallka kryesore.


Përgjatë romanit hasim situata të ndryshme në jetët e motrave, që në fëmijëri, rini dhe në shuarjen e tyre. Një rrëfim befasues dhe i ndritshëm, që do t’ju bëj kurioz se çfarë ndodhi në kohën e fluturave.