Gjoba deri në 500 mijë lekë dhe deri në 8 vite burg do të bëjnë të gjithë ata persona që i shesin duhan, cigare elektronike, nargjile, puro apo lloje të tjera duhani personave nën 18-vjeç.
Dy projektligje të deputetëve socialist Erion Braçe dhe Etilda Gjonaj, synojnë të ashpërsojnë masat ndëshkuese për shkelësit e ligjit, të cilët u shesin ose ofrojnë duhan të rinjve nën 18-vjeç.
Konkretisht në Kodin Penal propozohet të shtohet një nen 288/c, ku përcaktohet se ata persona që tregtojnë këto produkte tek të rinjtë nën 18 vjeç që janë ndëshkuar më parë do të gjobiten nga 100-300 mijë lekë ose burg deri në 6 muaj. Në rast të përsëritjes së shkeljes, gjoba do të jetë 300-500 mijë ose burg nga 6 muaj deri në 1 vit.
Kur si pasojë e kryerjes së veprës penale të parashikuar në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, ka ardhur si pasojë dëmtimi i rënde i shëndetit të të miturit, dënimi është nga 4 deri në 8 vjet burgim. Ndërsa në rastet kur shkaktohet vdekje prej këtyre produkteve, dënimi – thuhet në projektligj – do të jetë 8 deri ne 16 vjet burgim.
“Prevalenca e duhanpirjes ngelet ende e larte në vendin tonë dhe është e rëndësishme të reduktohet në mënyrë që të ulet numri personave me sëmundje kronike”, thuhet në relacionin e projektligjit “Për mbrojtjen e Shëndetit Nga Produktet E Duhanit”.
Neni 20, shkronja b) ndryshohet si vijon:
b) Shkelja e nenit 9 dënohet me:
– konfiskim te produkteve te duhanit, cigareve, cigareve elektronike, dhe për te gjitha produktet e parashikuara ne nenin 3 “Përkufizime” te këtij ligji, dhe gjobe 200.000 leke për subjektin shitës me shumice apo pakice apo subjektit qe e ofron falas sipas kushteve te nenit 9.1 dhe nenit I 0;
-500.000 leke gjobe kur kjo shkelje përsëritet nga subjekti sipas kushteve te nenit 9 dhe nenit 10;
-Dyfishim te gjobës se parashikuar ne piken (i) ne rastin e shitjes ose ofrimit te cigareve elektronike nen moshën 15 vjet.
Në projektligj thuhet se do ndalohet reklamimi në median e shkruar dhe atë televizive jo vetëm i duhanit por edhe i të gjitha produkteve të tjera. Kohët e fundit është ekspozuar ndjeshëm nëpër programe televizive, konsumi i produkteve të duhanit apo cigaret elektronike.
Shkaku kryesor i ashpërsimit të këtyre ligjeve thonë deputetët është fakti që konsumi i këtyre produkteve është kthyer në burimin kryesor të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në vend.