Të nderuar qytetarë!
Kjo është gjendja reale në zonën e plazhit në Durrës, pikërisht në një nga zonat më të frekuentuara, e njohur si zona e ish plepave, ku situata flet qartë dhe nuk ka nevojë për koment.
Ndodhemi në prag të çeljes së sezonit turistik dhe Durrësi mban flamurin për bumin e turistëve dhe mikëpritjen e tyre, kjo për për shkak të pozitës së shkëlqyer gjeografike të bekuar nga Zoti, por dhe falë angazhimit të bizneseve të kësaj zone të cilët janë përherë të angazhuar e të përkushtuar, janë në pararojë në krahasim me vëmendjen nga pushteti lokal dhe ai qëndror.
Situata e krijuar në këtë zonë është në kohë reale është një shqetësim i kahershëm për bizneset, banorët vendas dhe pushuesit vendas e të huaj.
Është një problem i ngritur nga Partia Demokratike, dega Durrës dhe personalisht nga ana ime në cilësinë e Kryetarit të kësaj dege, njëherësh dhe si përfaqësues i partisë demokratike në këshillin bashkiak, ku kam marrë votëbesimin të mbroj interesat e qindra bizneseve dhe mijëra qytetarëve durrsak.
Jo më larg se javën e shkuar, përmes mediave e kam denoncuar këtë skandal, këtë degradim ekologjik, këtë turp të menaxhimit të pushtetit vendor në këtë zone, ku kolektori i mbledhjes së ujërave të zeza që vijnë nga zona përreth përbën një kërcënim real për shëndetin e qytetarëve dhe pushuesit e sezonit turistik.
Përballë kësaj gjendjeje, i bëj thirrje bashkisë Durrës që të zgjohet nga gjumi dhe të marrë masa urgjente në lidhje me situatën e krijuar duke e zgjidhur atë në themel, jo të fashohet plaga kur infeksioni qëndron akoma aty, duke gjetur terren e ndotur dynjanë.
Ftoj çdo qytetar të Durrësit të adresojë pa ndrojtje çdo problematikë pranë partisë Demoktatike, dega Durrës duke ju siguruar se vullneti ynë është i palëkundër kundrejt çdo shkelje të së drejtës suaj, çdo rasti korruptiv të konstatuar, apo çdo lloj shërbimi të munguar kundrejt jush si biznese e qytetarë të Durrësit e ku pushteti vendor e ka detyrim ligjor ofrimin e shërbimit ndaj jush.
Ju Faleminderit!