Katër muaj pas vdekjes, aktorit të mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi iu akordua titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit. E bija, Mendi Kabashi u përlot teksa pranoi titullin për aktorin e shumë roleve dhe u shpreh se ky eshte një titull i vonuar, pasi Mirushi ndjente gjithnjë dashurinë e publikut durrsak..
“Është i vonuar, do doja ta merrte kur ishte gjallë! Mua më është dhënë që është lënë që ai ta merrte titullin në përvjetorin e lindjes, por nuk ishte e shkruar”.
Ceremonia u organizua nga Bashkia e Durrësit në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku morën pjesë njerëz të artit e skenës në Durrës. Regjisorja Driada Dervishi kishte përgatitur një dokumentar pjesë e të cilit ishte edhe një intervistë e fundit e Mirush Kabashit, e patransmetuar më parë.
Driada Dervishi regjisore: Na ka lënë një intervistë që për mua është një testament i mrekullueshëm artistik me të gjithë rrëfimin e një jete në skenë e jo vetëm. Me copëza ku falënderon të gjithë kolegët e tij dhe publikun e Durrësit e ata që e kanë ndjekur kudo.
Aishe Stari, aktore: Gjërat të jepen në kohë, t’i gëzojnë ata që i meritojnë. Kënaqësinë e këtij titulli ta merrte Mirushi, jo të ngelte si një relike atje në shtëpi.
Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, ndërroi jetë më 5 dhjetor të 2023 në moshën 75-vjeçare. Ai është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Mirush Kabashi ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare ndërsa numërohen rreth 100 role në teatër dhe filma. Vlerësuar me titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.