Në Muzeun Ikonografik “Onufri” është çelur një ekspozitë fotografike “Berati në shek. XVIII-XX, zhvillimi ekonomik e tregtar, objekte me rëndësi histotike të Beratit të pasqyruara në monedhën kombëtare”. Po kështu ekspozita përmban dhe koleksione numizmatike, siç janë kartmonedhat lokale të fillimit të shekullit të XX-të, monedhat kombëtare që mbartin imazhe të monumenteve dhe objekteve të qytetit të Beratit.
Drejtori i Muzeut Ikonografik “Onufri”, Miklor Pasku u shpreh se “jemi përqëndruar në një element shumë të veçantë, në një monedhë të një emetimi të veçantë që bëhet çdo 10 vjet dhe monedha e ekspozuar sot është një monedhë 500 lekëshe, pa kurs ligjor por që ka një element shumë të bukur të Kodikut të Purpurt të Beratit si në ngjyrë ashtu edhe në reliev. Ky imitim i formës dhe ngjyrës së Kodikut të Purpurt të Beratit i gdhendur në monedhë do të jetë tashmë pjesë e koleksionit të Muzeut Onufri, në Kishën “Fjetja e Shën Mërisë”, ku në vitin 1968 u gjet pas shumë vitesh kërkim ky kodik.
Ekpozita që do të qendrojë e hapur dy ditë është menduar në formën e paneleve, ku pasqyrohet zhvillimi ekonomik, marrëdheniet tregtare dhe ato të biznesit, elementet e shumtë artizanale të tregtisë dhe zhvillimit ekonomik të Beratit gjatë shekujve XVIII,XIX dhe XX-të.