Ekspozita e suksesshme e Alketa Tragaj në Paris, mes 60 artistëve evropianë

Ekspozita e suksesshme e Alketa Tragaj në Paris, mes 60 artistëve evropianë

Nga Mila Ballhysa – Durrës Lajm

Lulet i gjen ngado në studion e piktores Alketa Tragaj. Të shumta janë kanavacat, ku lulet shpalosen me gjithë bukurinë e tyre duke i dhuruar ndjesi mjaft pozitive kujtdo që i admiron nga afër. Madje dhe tabloja e fundit që piktorja e ka ende në proces është sërish një kompozim lulesh. Mund të thuhet me plot gojën se lky cikël ulesh në telajo i kanë sjellë mjaft sukses Tragajt. Dëshmi e kësaj është përzgjedhja në ekspozitën në Paris, ku piktorja nga Durrësi ishte e vetmja artiste nga Shqipëria mes 60 piktorëve kontemporanë evropianë.

“Ishte një emocion shumë i madh, u përzgjodha mes rreth 600 artistëve pjesëmarrës në fazën përzgjedhëse”,– thotë piktorja Tragaj për “DurrësLajm”.

Për vlerat artistike të pikturave të Tragajt flet mjaft qartë edhe ky koment i kritikes së njohur italiane të artit, Anna Soricaro, bërë gjatë ekspozitës.

“Interpretimi i pikturës suaj është një shpërthim emocional. Nuk e kupton nëse te ky burim ku rrjedh, shpërthimi po shuhet apo nga aty po lind, po merr jetë. Është e ndarë në dy ndjesi të ndryshme, në pamje të parë nëpërmjet teknikës së rrjedhshmërisë ajo duket si një rënie-shuarje, por ajo lulëzon plot dritë në qendër të saj dhe transmeton jetë. Është shumë e bukur”.

E bërë nënë përr të dytën herë vetëm 1 vit më parë, koha për t’iu përkushtuar artit nuk mjafton asnjëherë. Madje shpesh artistja e talentuar ndihet pak fajtore kundrejt të voglës së saj.

“Ndihem shumë keq. Ndryshe nga djali, që i jam përkushtuar më shumë dhe i kam dedikuar shumë kohë, vajzës i kam marrë shumë kohë, Ia kam marrë qëkur e kisha brenda vetes sime me ekspozitën personale në Leçe, Itali. Dhe kështu ka ndodhur edhe më pas në pjesëmarrjet e tjera nëpër ekspozita”.

Me artin dhe talentin e saj Tragaj i ka kaluar prej kohësh kufinjtë e Durrësit dhe Shqipërisë. Pas Parisit, angazhimet ndërkombëtare nuk do të ndalen, megjithëse artistja durrsake nuk preferon t’i zbardhë deri në fund, por të ruajë efektin surprizë.

“Në fakt jam në kërkim akoma. Nuk mund të them që jam e përmbushur, nuk mund të them që ky rrugëtim do të përfundojë këtu, sepse ky kompeticion vazhdon dhe unë nuk do ta ndërpres, do të vazhdoj të marr pjesë në vende të tjera që aktualisht nuk po e them. Do e lë për herën tjetër t’jua zbuloj (qesh)”,- thotë Tragaj.

Piktorja Alketa Tragaj në ekspozitën ndërkombëtare në Paris (youtube.com)