Një protestë e përfaqësive të banorëve të fshatrave të luginës së Lumit Shushicë, u zhvillua më 25 Maj para Kryeministrisë. Vinte ky zhvillim në rrjedhë të dhjetra protestave të mëparshëme të bëra në fshatin Kuç, në burimet e Lëpushës, në Urën e Laskos, në fshatin Brataj. Banorët janë të zemëruar sepse veshi i shurdhër i institucioneve qeverisëse, jo vetëm i nëpërkëmb, nuk i dëgjon, nuk i përfill, por as që merr mundimin ndokush t’u kthejë përgjegje: pse i shkelin ligjet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë? Si është e mundur që ndonëse e dinë që janë në shkelje të ligjit, nuk ua bën syri tërr?
Çfarë ligjesh ka shkelur kryeministri, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Agjencia Kombëtare e Zonave te Mbrojtura, Bashkia Himarë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit?
1.Ligjin ndërkombëtar
Kanë shkelur Konventën e Ujit dhe Protokollin mbi Ujin dhe Shëndetin të UNESKO-s, e miratuar në Helsinki në vitin 1992, që ndalon në mënyrë kategorike devijimin e ujrave ndërkufitare mes shtetesh, mes krahinave, mes zonave të ndryshme rrjedhash ujore. Konventa e Ujit është një instrument unik ligjor ndërkombëtar dhe platformë ndërqeveritare e cila synon të sigurojë përdorimin e qëndrueshëm të burimeve ujore dhe këshillon të mos bëhet asgjë pa mirëkuptim reciprok, pa marrëveshje.
Parisi që drejtohej 200 vjet përpara nga burra të mënçur, e kish parashikuar sjelljen arbitrare të pushteteve që do pasonin, ndaj i bleu burimet e Senës Côte d’Or afër afër Dijonit, i bëri pronë të Parisit që askush më pas të thoshte se burimet janë pronë e të gjithëve në Francë.
Për dieni të lexuesit, në Shushicë nuk po merret një sasi uji i tepërt (siç është thënë e po thuhet), por po devijohet lumi që nga burimet, çka lë shkretë mbi 20 km rrjedhë e pakson dukshëm sasinë në derdhjen e poshtme. Nëse kryeministrit i kanë thënë nga Bashkia Himarë, apo kush tjetër se do marrim vetëm 130-150 litra në sekondë në kushtet kur medemek lumi ka prurje 1500 litra në sek., siç thotë ky dokument bashkangjitur në versionin “Foto”, kuptohet që e kanë gënjyer, e kanë mashtruar keqazi, gjë që mund të vërtetohet duke parë e prekur punimet që po kryejnë në burimet e Lëpushës, atje ku merr rrugë Lumi Shushicë.
Po mirë, o njeri, o Qeveri, si mundet ta marrësh ujin që në burim, ta futësh në tubat 300-she pa lënë asnjë pikë për banorët e fshatrave për rreth e nuk i vë emrin e vërtetë, “Devijim rrjedhe”, por e quan “Tepricë”!!!?
2.Ligjin për Parqet Kombëtare
Kanë shkelur Ligjin Nr. 8906, datë 6.6.2002 Për Zonat e Mbrojtura, i azhurnuar me Ligjin nr.9868, datë 04.02.2008, neni 27, që përcakton sipërfaqjen “Zonë”. Me këtë nen, si Kuçi ashtu dhe lumi, është tashmë i përcaktuar gjeografikisht, shtrirja e së cilës përshkruhet me hollësi. Tani quhet “Park kombëtar” dhe është nën mbrojtje ligjore, që do të thotë: nuk lejohet shfrytëzimi dhe okupimi njerëzor; ndalohet shfrytëzimi i burimeve natyrore (përfshirë zhvillimin e digave apo pengesa të tjera të rrjedhjes).
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe organizata amerikane “Patagonia” nënshkruan sëbashku një Memorandum, që e quajtën “Të Mirëkuptimit”, ku zotohen se do të punojnë së bashku për rritjen e shkallës së mbrojtjes së Lumit Vjosa dhe degëzimeve, me statusin “Park Kombëtar”. Brënda hapësirës prej 12727 ha përfshihet dhe pellgu i Lumit Shushicë, i cili i ka burimet dhe një pjesë të shtratit brënda hapësirës ku shtrihet fshati Kuç i Labërisë.
Të nesërmen e largimit të Leonadro Di Caprios dhe përfaqësuesit të Organizatës Mjedisore Amerikane Patagonia CEO, Ryan Gellert, në urën e Laskos-Shushicë, të njësisë administrative Horë-Vranisht, u shkarkuan tubacionet e përmasave 300-she. që do devijojnë e transportojnë ujin e burimeve të Lumit Shushicës për në Himarë.
Autoriteti Shtetëror, që u ngarkua për administrimin e zonës së mbrojtur “Park Kombëtar Vjosë”, u caktua në vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 155, datë 13.3.2023, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM). As mos t’i shkojë ndërmend kujt se kjo agjenci, kur filluan punimet e devijimit të burimeve të ujit, filloi të veprojë!? Gjithashu u ngarkuan nga ligji për zbatimin e këtij vendimi Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore në territorin e të cilave shtrihet Parku. E pengoi kush vallë nga këta “të ngarkuarit” Bashkinë Himarë dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit të ndërpriste projektin se po shkelej ligji, të ndalte punimet e të vinte para ligjit përgjegjësit? Bah…sa qesharakë bëhemi kur ngremë e shtrojmë pyetje të tilla!
Gjithësesi u kujtojmë këtyre institucioneve dhe Bashkisë Himarë se Neni 32 për Sanksionet përcakton e shpjegon qartë se Shkeljet e dispozitave të këtij ligji përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative, dhe si të tilla, ndëshkohen!
3. Ligji për dëgjesat publike
Këtë ligj e kemi kopjuar me siguri se as e njohim dhe as e zbatojmë, ndonëse moszbatimi parashikon sanksione. Më ndërmendet më qartazi kjo nga bandat e bizneseve të grabitjes së ujit për ndërtim HEC-e, me dhjetra, në mos qindara, të miratuara me dashamirësi shumë të madhe nga ministritë tona për ndërtim në çdo përrua e burim, për të cilat banorët as që e kanë idenë dhe informohen prej syve të tyre veçse kur shohin ndërtimet. Kush ka patur nerva e para prej tyre e ka çuar çështjen në gjykatë dhe ka fituar vendimin për pezullim, që nuk është baraz me ndërprerjen dhe ndëshkimin!
Si këta, që përmenda më sipër, është dhe ky ujësjellësi Kuç-Himarë.
Ligji “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, që mban Nr. 107/2014, date 31.07.2014, si dhe Rregullorja së planifikimit të territorit, nr.671, datë 29.7.2015. Pason dhe një vendim, Nr. 247, i datës 30.04.2014, “Për përcaktimin e rregullave, të kërkesave e të procedurave për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore”, që bëhet në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 17, të ligjit nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.
Gjithë këto ligje, vendime e rregullore që detyrimisht kërkojnë informimin e publikut, konsultimin dhe organizimin e dëgjesave publike, ku mbahet protokoll, proces-verbal kur kërkohet, hidhen firma dhe depozitohet zyrtarisht dokumentacioni. Përpos kësaj, procedurës kërkohet t’i paraprijë publikimi në faqet e internetit, njoftimi për organizimin e dëgjesës publike; i dërgohet zyrtarisht një kopje e njoftimit strukturës përkatëse për komunikimin (në këtë rast, këshillave të fshatit të luginës Shushicë)…
Trimat tanë të Bashkisë Himarë s’kanë bërë gjë nga këto! Kërkesës këmbëngulëse të Shoqatës “Vëllazërimi kuçjot”, mbi praktikën që ka ndjekur për dëgjesat, më 13 prill 2023 i kthen përgjegjen: “sa i përket dëgjesave publike, duke qenë se objekti do t’i shërbejë zonës së Himarës, nuk është mbajtur dëgjesë publike me banorët e zonës Hor-Vranisht. Duhet guxim i madh të kesh këtë sjellje ndaj ligjit!
A mjafojnë kaq argumente me shkelje të hapura e të rënda ligjore, zonja e zotërinj të nderuar të qeverisë, që të hiqni dorë nga projekti për devijimin e burimeve të Lumit Shushica? Dhe mbani parasysh se këto jua vë në dukje jo kushdo, por një komunitet me përkatësi të spikatur morale, të njohur për vlerat kolektive të luginës së Labërisë, për personalitetin e banorëve, përkatësinë morale, vlerat kolektive të luginës së Labërisë.
Nga maja e pushtetit, nga kënaqësia që përcjell koha e gjatë e qëndrimit në poste të larta, ju kuptojmë pse i dhatë vetes të drejtë dhe jo asaj zonjës kuçjote, që rasti e solli të ndodhej para jush dhe t’ju kërkonte të hiqnit dorë nga marrja e ujit të Kuçit! Të dalësh para të madhit e t’i bësh vrejtje është një gabim që të mëdhenjtë rrallë ta falin, por moralisht duhet të ndjeheni i detyruar të mposhtni sedrën dhe të vini vetë te burimet, ku do shihni se si vartësit ju kanë gënjyer dhe mashtruar.
Në datën 23 Qershor Kuçi feston. Kryetari i Kryesisë të fshatit Kuç, me sa di, do ju dërgojë një ftesë që të festojmë së bashku! Nisuni paksa më herët, të shkojmë te burimet e Lëpushës pak minuta me makinë në rrugën që ju bëtë, që të shihni dhe gjykoni kush flet marrëzira, ne banorët e Shushicës apo ekipi juaj dhe Bashkia Himarë!?
Damari i Vunoit dhe damari i Kuçit një race i përkasin, një formim psiqik kanë, janë himarjotë, janë lebër, ndaj më mirë është t’i nënshtrohemi urtësisë! Ju presim zoti kryeministër, mirë se të vini mes miqsh!