Në një intervistë të dhënë së fundmi për Radio Times, Dua Lipa ka treguar se është e përgatitur për të marrë reagime dhe kundërshtime të shumta, pasi i doli në mbrojtje Palestinës.
“Kur flas për gjëra që janë politike, kontrolloj dy herë, trefish veten që të jem, OK. Kjo ka të bëjë me diçka që është shumë më e madhe se unë dhe është e nevojshme. Gjithmonë do të përballesh me reagime dhe opinione të njerëzve të tjerë, kështu që është një vendim i madh. E balancoj atë, sepse në fund të fundit, mendoj se është për të mirën më të madhe, kështu që jam e gatshme ta marrë atë goditje”, shprehet Dua Lipa.
28 vjeçarja shqiptare ka qenë një ndër personazhet e famshëm që i ka kërkuar Presidentit Joe Biden që të ndalen sulmet në Gaza dhe Izrael.
Së bashku me personazhe të tjerë ajo i shkruajti një letër të hapur Presidentit, e cila shpjegoi se ata janë “bashkuar si artistë dhe avokatë, por më e rëndësishmja si qenie njerëzore që dëshmojnë humbjen shkatërruese të jetëve dhe tmerret e shpalosura në Izrael dhe Palestinë”.
Ndërsa teksa foli për zgjedhjet e ardhshme Dua tha se është një mbështetëse e madhe e laburistëve.
“Të qëndrosh pas një lideri të caktuar partie politike ndoshta nuk është rruga që dua të marr. Unë kam mbështetur gjithmonë laburistët, por nuk mendoj se do të dal publikisht pro ose kundër dikujt, sepse politikanët në përgjithësi thjesht do e gjejnë një mënyrë për t’ju zhgënjyer”, tha Dua.