Euro 2024/ Mirlind Daku humbet ndeshjen me Spanjën, UEFA: Sulmuesi dënohet me 2 ndeshje pas fyerjeve raciste

Euro 2024/ Mirlind Daku humbet ndeshjen me Spanjën, UEFA: Sulmuesi dënohet me 2 ndeshje pas fyerjeve raciste

Mirlind Daku do të humbasë ndeshjen me Spanjën, e cila do të luhet nesër në Dusseldorf në orën 21:00, e vlefshme për raundin e tretë në Grupin B të Euro 2024.

Burime bëjnë me dije se sulmuesi do dënohet nga UEFA me dy ndeshje pas fyerjeve ndaj maqedonasve pasi u mbyll sfida Kroaci 2-2 Shqipëri.

Daku mori megafonin e Tifozave Kuq e Zi pas mbarimit të lojës me Kroacinë, duke thënë kore raciste kundër maqedonasve. Sjellja e tij është kritikuar mjaft, ku fillimisht ka qenë Federata e Futbollit në Maqedoninë e Veriut, që ka kërkuar nga UEFA të merren masa. Më pas ka qenë edhe klubi ku luan Daku në Rusi, Rubin Kazan që nuk e ka mirëpritur këtë sjellje të sulmuesit nga Gjilani.

Shqipëria barazoi në minutat e fundit me Kroacinë, 2-2 pas golit të mesfushorit Klaus Gjasula në të 95-ën. Nesër, kombëtarja luan në Dusseldorf fatet e kualifikimit nga grupet ndaj Spanjës në orën 21:00. Në rast kualifikimi Daku do të humbas edhe sfidën tjetër me eleminim direkt.

Ndërkohë që edhe FSHF më vonë konfirmoi lajmin. “Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka dalë me një vendim në lidhje me incidentin e ndodhur pas përfundimit të ndeshjes së EURO 2024, Shqipëri-Kroaci, ku ishte i përfshirë sulmuesi kuqezi Mirlind Daku.

Komisioni i UEFA-s ka vendosur të pezullojë për dy ndeshje futbollistin shqiptar, i cili nuk do të mund të luajë kështu në ndeshjen e radhës ndaj Spanjës, në program për t’u luajtur të hënën e 24 qershorit në Dusseldorf”, thotë FSHF-ja

Pas pezullimit, për Dakun nuk ka ndryshuar asgjë dhe ka vijuar stërvitjen me Kombëtaren.