Bulevardi “Epidamn” në Durrës do të shërbejë si pedonale gjatë muajve të verës, nga 29 qershori deri më 15 shtator.
Ervis Quku nga Policia Bashkiake tha se “në vazhdën e mbarëvajtjes së sezonit turistik Bashkia e Durrësit ka njoftuar të gjithë qytetarët se bulevardi “Epidamn” do të kthehet në një hapësirë pedonale nga 29 qershori deri në 15 shtator, prej orës 19:00 – 23:00, me qëllim që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve, por edhe e vizitorëve të shumtë që vijnë në qytetin tonë për të kaluar pushimet. Duke patur parasysh që vitin e kaluar kjo nisëm u mirëprit nga qytetarët dhe bizneset këtë vit është menduar që të zgjatet më shumë afati kohor i ndalimit të mjeteve për arsye që të bëhet e mundur reduktimi më i madh i trafikut dhe krijimi i hapësirave për këmbësorët.”
Për të lehtësuar trafikun në verë, Bashkia e Durrësit dhe Policia Rrugore kanë ndryshuar lëvizjen në disa akse, duke i kthyer në sens unik. Po kështu ndalohet parkimi në disa segmente.
Rruga “Karl Topia” dhe rruga “Gjergj Komnino”, me një sens lëvizje (ngjitja drejt Vilës së Zogut)
Rruga “Telha Çela” dhe rruga “11 Dëshmorët e Stanit”, me një sens lëvizje (zbritja në drejtim të Muzeut të Dëshmorëve).
Gjithashtu ndalohet parkimi i automjeteve përgjatë orarit 19:00-23:00 në rrugët si më poshtë:
Rruga “Anastas Durrsaku” (Segmenti nga Kisha Ortodokse – Shkolla Gjergj Kastrioti), ndalim parkimi i automjeteve.
Rruga “ Hysen Matlija” dhe Rruga “Mbretëresha Teuta” (Shkolla Italiane), ndalim parkimi i automjeteve nga një krah lëvizje.
Rruga “Karl Topia” dhe rruga “Gjergj Komnino”, ndalim parkimi i automjeteve nga një krah lëvizje.
Ndalohet parkimi i automjeteve përgjatë gjithë ditës Rruga “Taulantia” në njërin krah të rrugës (segmenti nga karburant “Kastrati” – kryqëzimi i shkollës Italiane).
Kufizimi do të nisë të shtunën, 29 qershor dhe do të zgjasë deri më datë 15 shtator ku fluksi i turistëve pritet të ulet dhe më pas qarkullimi do t’I kthehet normalitetit, pa kufizime.