AG APOLLONI: ZËRI QË KËNDON, ZËRI QË RËNKON!

AG APOLLONI: ZËRI QË KËNDON, ZËRI QË RËNKON!

Kush përfiton nga post-privatësia dhe cilat do të jenë pasojat e post-privatësisë?
A ka qenë më mirë kur vdisnim në beteja dhe, vetëm pasi merrte fund gjithçka, historiani shkruante për ne duke na bërë pjesë të historisë?
A ka qenë më mirë kur lëngonim në shtratin e vdekjes, larg publikut, pranë familjes?
Apo është më mirë tash, kur vuajmë dhe vdesim para publikut, në TikTok?
Çka do të thotë fundi i privatësisë? Fund i epokës së legjendave, fund i heronjve, fund i sublimes?

Nga Ag Apolloni

Mbrëmë e pashë filmin dokumentar “I am: Céline Dion” (ndoshta mund të quhej edhe: “Still Celine Dion”, ose “I was Celine Dion”), një film që dokumenton fatin tragjik të këngëtares kanadeze, që njihet si një nga zërat më të bukur dhe më të fuqishëm në historinë e këndimit.

Në dhjetor të vitit 2022, ajo u diagnostikua me sindromin SPS (stiff-person syndrom), që është një sëmundje e rrallë neurologjike (një në një milion), që shoqërohet me ngurtësi muskulare, spazma, deformime fizike dhe dhimbje kronike. Në maj të vitit pasues (2023), këngëtarja, bëri publike sëmundjen e saj dhe anuloi të gjitha koncertet.
Nga filmi duket qartë që zotëruesja e zërit të jashtëzakonshëm nuk do të na magjepsë më, sado që është e vendosur të luftojë deri në fund: “kur s’mund të vrapoj, do të eci; kur s’mund të eci, do të zvarritem.”

Filmi fillon me një deklaratë të saj kur po bëhej gati të niste karrierën: “Unë dua të këndoj gjithë jetën.” Pastaj e kuptojmë se ajo ka jetuar për zërin e saj: “Unë kam shkuar pas zërit tim. Ai më ka udhëhequr.” Dhe arrijmë te pika më e vështirë për një performuese: “Nuk është e vështirë të bësh një ‘show’, e vështirë është ta anulosh atë.” Kështu, ne e kuptojmë se si është ndier atë ditë kur i ka anuluar të gjitha koncertet e saj nëpër botë.
Në një moment, ajo tregon që edhe pse ka udhëtuar rretheqark botës, nuk ka parë asgjë. Sepse, si performuese, ajo kishte udhëtuar për t’u parë, jo për të parë.
Në minutat e fundit të filmit jepen edhe sulmet neurologjike të saj, e që janë të tmerrshme dhe, për mua, të diskutueshme në planin etik. Duke e parë këtë film, e kuptojmë që jemi “shoqëri e transparencës” dhe që, mjerisht, jetojmë në epokën e post-privatësisë. Meqë filmi është realizuar dhe shfaqur me lejen e këngëtares, ne e kuptojmë që sot, jo vetëm që nuk konsiderohet “turp” (tabu) të shfaqesh në gjendjen më të mjerë para publikut, por është edhe një lloj “obligimi moral”, për të mos thënë edhe një lloj “krenarie”, pa u ndalur në temën e mundësisë së përfitimit financiar.

Celine Dion thotë në film se ajo gjithmonë për publikun ka qenë një “libër i hapur”. Nga reagimet që ka shprehur publiku menjëherë pas shfaqjes së filmit, një hapje e tillë, si te skenat e stërmundimit nga sëmundja, është parë si e tepruar. Kushdo që e sheh këtë film, në fund do ta bëjë pyetjen: a duhet të shfaqet gjithçka? Imazhet e fundit të një jete, janë imazhe që mbesin përjetë. Prandaj, nga ato pamje ndoshta duhet të kursehet çdo njeri, sidomos ata që me punën e tyre bëjnë histori. Duke e parë këtë film, m’u kujtua Umberto Eco, i cili pasi u sëmurë nga kanceri, u tërhoq nga jeta publike, la një amanet që t’i digjej trupi, dhe që, së paku, deri dhjetë vjet pas vdekjes, të mos bëhej asnjë komemoracion për të. Në momentet e fundit, edhe Eco ka vuajtur, edhe Freddie Mercury do të jetë zhgërryer përtokë, edhe Aretha Franklin do të ketë ulëritur nga sëmundja. Milan Kundera në një ese shqetësohej që shkrimtari Robert Musil kishte vdekur duke bërë ushtrime me shtanga, duke e lënë këtë si imazh të tij të përjetshëm. Por, ta lëmë Musil-in! Si do të reagonim po ta shihnim Senekën që nuk i del shpirti, edhe pasi ka prerë venat në vaskën e banjës? A do të ishte një pamje e durueshme për publikun besimtar, nëse do ta shihte Krishtin duke bërtitur e duke u alivanosur nga gozhdat që i ngulen gjatë kryqëzimit?

Më kujtohet që kur Mel Gibson pati shfaqur filmin e tij për Krishtin, më 2004, një prift, duke e parë paraqitjen e dhunës dhe dhimbjes, pati pësuar infarkt në kinema, ndërsa besimtarë nga e gjithë bota patën reaguar për skenat e kamxhikosjes dhe kryqëzimit. Ato kritika të besimtarëve të krishterë sikur donin të thoshin: e dimë se ç’ka vuajtur, por, ju lutemi, lini pak privatësi Birit të Zotit!
Mendoj se të njëjtën gjë e kanë menduar edhe fansat e Celine Dion-it: e dimë se ç’po vuan, por, ju lutemi, lini pak privatësi robit të Zotit!

Pyetja që del nga filmi për këngëtaren, nuk ka të bëjë me atë nëse ajo do të mund të kthehet ose jo në koncerte, apo a do të jetojë ende gjatë pas kësaj sëmundjeje, por se kush përfiton nga post-privatësia dhe cilat do të jenë pasojat e post-privatësisë?
A ka qenë më mirë kur vdisnim në beteja dhe, vetëm pasi merrte fund gjithçka, historiani shkruante për ne duke na bërë pjesë të historisë?
A ka qenë më mirë kur lëngonim në shtratin e vdekjes, larg publikut, pranë familjes?
Apo është më mirë tash, kur vuajmë dhe vdesim para publikut, në TikTok?
Çka do të thotë fundi i privatësisë? Fund i epokës së legjendave, fund i heronjve, fund i sublimes?
Sikur Beteja e Termopileve të jepej live në TikTok, as Leonida nuk do të vinte kaq i madhërishëm në kohën tonë. Sikur të kishim një dokumentar të ditëve të fundit të Skenderbeut, kur ai, sipas disa historianëve, lëngonte nga dhimbjet e barkut si pasojë e helmimit nga ushqimi, pra sikur të shihnim një plak të zverdhur, që vjell shpesh, dhe që shkon në nevojtore orë e dakik, a mendoni se do të vinte deri në kohën tonë kaq madhështor dhe kaq heroik? Tash së fundmi, pashë në një portal se kanë nisur të kthehen në modë fotot nga WC-ja. Duhet vetëm edhe pak të presim që në vend të personit mbi shole, të shohim procesin e tij në shole, të shoqëruar me vargje nga poezia e famshme e Enzensberger-it, si mesazh kundër politikës dhe luftës.

Filmi për këngëtaren Celine Dion, është një ‘intervenim me interes’ në diskutimin filozofik mbi jetën e privuar nga privatësia, një temë që ka krijuar konturat e kohës sonë e në të cilën prej kohësh janë fokusuar Geoffrey Gorer, Philippe Ariès, Umberto Eco, Giorgio Agamben e disa të tjerë. Ky dokumentar është tragjik, sepse dokumenton fundin e njërit nga zërat më të fuqishëm në botë, dhe fundin e botës së një zëri. Zëri i Celine Dion-it ka qenë zë shpërthyes, tash ai po kthehet në zë rënkues. Bota e saj po merr fund si në poezinë e T. S. Eliot-it: “This is the way the world ends/ Not with a bang but a whimper.”

ObserverKult