Gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, përtej madhështisë në publik, në familjen e tij ishte një njeri i thjeshtë, e këtë e dëshmon edhe mbesa e tij e cila thotë së është impresionuar me gjithë këtë dashuri me të cilën u përcoll gjyshi i saj.
“Gjyshi im ka qenë gjithmonë një njeri shumë enigmatik, unë jam rritur në Paris dhe ka qenë vetëm gjyshi im, nuk e kisha parë këtë pjesën që sa shumë e quan edhe populli njeri enigmatik dhe serioz. Por edhe me seriozitetin që kishte na përcillte shumë dashuri në një mënyrë të veçantë siç e kishte ai dhe ashtu e kujtoj. Kur shkonim në shtëpi ishim si mbretër aty te gjyshi, na linte të lirë asnjë rregull”, u shpreh ajo.
Mbesa Doruntin për mikrofonin e RTSH ndan disa nga kujtimet me shkrimtarin, ku ndër to veçon rregullin e drekës së fundjavës
“Çdo fundjavë donte që të mblidheshim të gjithë për drekë dhe ne shkonim gjithnjë e hanim drekë të gjithë bashkë”, tregon Doruntina.
Edhe pse mbesa e Kadaresë nuk ka trashëguar talentin e gjyshit, kjo nuk e pengon të adhurojë veprimtarinë e tij letrare, ndërsa ndan me ne edhe veprën e saj të preferuar.
“Që e vogël më dhanë “Kush e solli Doruntinën” edhe unë quhem Doruntina dhe ky më ka ngelur si lidhje që ka me emrin tim”, shprehet ajo
Kadare u nda nga jeta në 1 korrik ndërsa emir i tij është i jetësuar përjetësisht në galerinë e pafundme të veprave të tij./Rtsh