POEZI NGA ANDI MEÇAJ
FILXHANI I ÇAJIT
U zhyta në një filxhan me çaj,
noto e noto dola në buzën tjetër,
noto e noto dola sërish
në buzën e parë,
dola nga uji,
u thava në diell.
Erdhe ti, u zhytëm
sërish në çaj,
noto e noto më the se
do ikësh,
noto e noto më the se
nuk më do më,
noto e noto më the se
fëmijët mund t’i mbaja,
noto e noto më the se
nuk doje as një gjë
nga unë,
noto e noto më the se
i kishe bërë gati valixhet
me gjërat e tua,
noto e noto më the se
ky ishte takimi ynë i fundit,
noto e noto ti dole
në buzën tjetër,
noto e noto unë dola
në buzën e parë.
Dola nga uji, thyeva
gjithë filxhanët e çajit
dhe nuk të mendova më.
Shkurt 2024