Në kuadrin e Projektit “Fjalor i madh i gjuhës shqipe”, drejtuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës, u mbajt takimi i radhës për hartimin e veprës.
Grupi i punës nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë) përbëhej nga Valter Memisha (Sekretar shkencor i Fjalorit dhe hartues), Anila Kananaj (hartuese dhe koordinatore), Engjëllushe Karaj (hartuese).
Ndërkaq, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës morën pjesë studiuesit, Shefkije Islamaj (hartuese dhe anëtare e redaksisë së Fjalorit), Abdurrahim Maxhuni (Shef i Degës së Gjuhësisë dhe hartues), Naim Berisha (hartues) dhe Sejdi M. Gashi (hartues).
Grupi diskutoi gjerësisht dhe me përgjegjësi për punën në fazën e tanishme, kur po mbyllet procesi hartues dhe redaktimi brenda grupit, dhe kur po merr përparësi sistematizimi i lëndës së hartuar dhe unifikimi i paraqitjes leksikografike./rtsh