Më 30 korrik 2024 u hap gara për tenderin e ndërtimit të porit të ri tregtar në Porto Romano, pasi kompania e mirënjohur holandeze Royal Haskoning përfundoi fazën e studimit të leverdishmërisë dhe projektimit.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj gare merrnin 15 kompani të huaja ndërtimi portesh. Pesë prej tyre përfaqësojnë sot ndër kantieret detare më të njohura në botë, seicila me asete ndërtimi në miliarda euro.
Duhet të ecësh në kohë prapa disa dekada, për të parë një port tregtar tërësisht të ri të rëndësishëm në Evropë, të ndërtuar nga hiçi. Fuqia strategjike e Porto-Romanos dhe Durrësi me tre porte
Porti i ri i Porto Romanos e bën Shqipërinë një pikë kyçe strategjike për tregtinë dhe për sigurinë e gjithë rajonit. Pas vetëm pak vitesh, praktikisht Durrësi do të ketë tre porte. Portin tregtar të Porto Romanos, portin turistik që po ndërtohet në një pjesë të hapësirës që sot ka Porti i Durrësit dhe portin e ri ushtarak të NATO-s.
Porti tregtar i Porto Romanos do të lidhë në vijim tregtinë me pjesën tjetër të rajonit dhe më gjerë, përmes hekurudhave 100 përqind elektrike që do të ndërtohen Durrës-Rrogozhinë-Qafë Thanë dhe Durrës-Vorë-Hani i Hotit, si dhe përmes dy porteve të thata që do të ndërtohen në Prishtinë dhe në Strugë.
Hapësirat e mëdha në Porto Romano përbëjnë mundësi për terminale logjistike, për zhvillimin e dhjetëra zonave ekonomike, me veprimtari prodhuese, që sot nuk kemi mundësi t’i zhvillojmë në portin aktual.
Porto Romano dhe Korridori i Tetë
Porto Romano do t’i japë përmasat dhe rëndësinë që i takon Korridorit të Tetë. Ai do të orientojë shumë flukse tregtare dhe shkëmbimesh, të cilat deri më sot kanë qenë jashtë rrezes sonë të influencës.
Fondi limit për ndërtimin e portit është 392 milionë euro. Faza e tenderimit do të zgjasë 45 ditë dhe në muajin mars ose prill 2025 pritet nënshkrimi i kontratës me kompaninë fituese të tenderit.
Projekti i Royal Haskoning që po tenderohet përfshin ndërtimin e një baseni të ri në port, një kanal hyrës të ri, kalata të reja portuale për kontejnerët dhe terminal të ri kontejnerësh, bashkë me ndërlidhjen me hekurudhën dhe rrugën automobilistike.
Tabela 1. Çfarë do ndërtohet në Porto Romano 2025-2028?
– Kanali hyrës
– Baseni i portit
– Dallgëthyesi i portit
– Kalata të reja portuale për kontejnerët
– Terminal i ri kontejnerësh
– Ndërlidhja me hekurrudhën
– Rruga automobilistike
Ndërtimi i portit të ri tregtar të Porto Romanos pritet të përfundojë brenda vitit 2028. Kostoja totale e këtij projekti, i cili do të financohet nga fondet e Buxhetit të Shtetit tonë, do të jetë 392 milionë euro.
Si do na japë 660 milionë euro në vit Porto-Romano?
Sipas literaturës botërore, një port i ri tregtar mund të ndihmojë në rritjen e ekonomisë së një vendi me 1 deri në 6 përqind të prodhimit të tij kombëtar(GDP-së), në varësi të madhësisë së portit dhe pozicionimit strategjik të tij.
Duke qenë se Porti i ri i Porto Romanos do të jetë porti ynë kryesor në të ardhmen dhe me rëndësi parësore strategjike, parashikohet që kontributi i tij në ekonominë tonë të jetë të paktën 3 përqind çdo vit. Pra ekonomia jonë shtohet me 3 përqind nga aktiviteti shumë më i rritur i portit tregtar në Porto Romano, në krahasim me portin aktual të Durrësit.
Prodhimi ynë kombëtar për vitin 2023 ishte 22 miliardë euro. Sikur porti i ri në Porto Romano të vihej në funksionim tani, ai do të na jepte një kontribut prej 660 milionë eurosh më shumë në vit.
Po si do ta realizojë ai këtë pas vitit 2028, kur të ndërtohet plotësisht? Porti i ri tregtar do të ofrojë veprime ngarkimi-shkarkimi anijesh dhe qëndrimi të tyre në radë, me kapacitete me herë më të mëdha, se sa ofron sot porti aktual ne qytetin e Durresit.
Porti i ri në Porto Romano do të ketë kapacitete përpunimi shumëfish më të larta, me thellësi më të madhe dhe strehim-parkim anijesh më të mëdha. Me të, ne do të kemi një trefishim të mundësive përpunuese dhe strehuese në port, në raport me kapacitetet aktuale për kontejnerët në portin e sotëm 2700 vjeçar të Durrësit.
Nga ana tjetër, një port i ri tregtar nuk është vetëm një mundësi për të ngarkuar dhe shkarkuar mallra dhe kontejnerë. Është një mundësi për të prodhuar më shumë, për të zhvilluar më shumë ekonominë tonë. Zona përreth Porto Romanos do të shndërrohet shumë shpejt në një zonë të lirë ekonomike.
Porto Romano, Kosova dhe Maqedonia e Veriut
Një aset i rëndësishëm i Porto Romanos dhe pjesë përbërëse e investimit janë dhe dy terminalet logjistike, portet e thata në Strugë dhe Prishtinë. Këto dy qendra të mëdha përpunimi kontejnerësh në tokë(prandaj quhen porte të thata) e bëjnë edhe më të dobishëm dhe më me përfitim investimin e qeverisë në Porto Romano.
Aktualisht, 30 përqind e mallrave që përpunohen në Portin e Durrësit janë, ose në drejtim të Kosovës, ose vijnë për eksport nga Kosova drejt vendeve të tjera. Sot, Porti tregtar i Durrësit ka dy klientë kryesor, që janë Tirana dhe Prishtina. Mallrat që përpunohen në Portin e Durrësit, qoftë në import apo eksport, kanë si destinacion kryesor Tiranën dhe aktivitetin industrial dhe ekonomik në Tiranë dhe Prishtinë.
E gjithë industria, dhe jo vetëm ajo logjistike, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, si dhe e gjithë industria e tyre e transportit, ajo rrugore dhe hekurudhore, e kanë mirëpritur si lajm ndërtimin e portit të ri kryesor tregtar të Shqipërisë në Porto Romano.