Pavarësisht se ndonjë lokal i ri buzë gjolit mundohet të imitoje diskot e zhurmshme të Sarandës, e pavarësisht se ndonjë plazh privat pogradecar mundohet të imitojë prepotencën e Ksamilit, Pogradeci mbetet magneti veror i turizmit vendas.
Kam ardhur rregullisht këtu në behar qysh kur kam qene 6-muajsh. Pra, e kam parë trajektoren zhvillimore të këtij qyteti, nga një magnet primitiv i turizmit vendas, në një magnet modern të turizmit, po vendas. Doni mëngjese e mbrëmje të freskëta? I gjeni ne Pogradec, teksa pjesa tjetër e vendit zhuritet nga vapa.
Doni restorante me ushqime të shijshme, shërbim të këndshëm, e çmime të arsyeshme? I gjeni në Pogradec, teksa në bregdet duhet ta mendoni mirë ku do të uleni.
Doni variacione gjatë pushimeve verore në Pogradec? Mund të vizitoni këtu rrotull Drilonin, Tushemishtin, Shën Naumin, Linin, Strugën e Ohrin.
Doni ta shijoni Pogradecin në behar? Vizitojeni sa pa ardhur dyndja e turizmit të huaj, që pashmangësisht do të vijë…